​Rasti në “Banjskë”, Prokuroria Speciale kërkon dënim të përjetshëm për të akuzuarit

Nacionale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim të përjetshëm. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, gjatë paraqitjes së tij para trupit gjykues në seancën gjyqësore për sulmin në Banjskë ka deklaruar se ngjarjet e 24 shtatorit 2023 […]

Madhësia e shkronjave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që tre të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim të përjetshëm.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, gjatë paraqitjes së tij para trupit gjykues në seancën gjyqësore për sulmin në Banjskë ka deklaruar se ngjarjet e 24 shtatorit 2023 nuk kanë qenë të izoluara, por pjesë e një plani të mirëorganizuar dhe të parapërgatitur.

Në këtë proces gjyqësor, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, Abazi theksoi se para sulmit kishte një sërë veprimesh paraprake që dëshmojnë për një organizim të strukturuar kriminal me synime terroriste.

Sipas tij, këto veprime përfshijnë sulme ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve dhe institucioneve zgjedhore, vendosjen e barrikadave, përdorimin e mjeteve shpërthyese, si dhe sulmin ndaj KFOR-it, ku mbetën të lënduar mbi 90 ushtarë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike. /Telegrafi/