Ministria e Punës dhe Familjes ende nuk e ka pranuar raportin përfundimtar për trajtimin e rastit të familjes së 5 vjeçarit, nga Lipjani nga QPS-ja. Ministri Andin Hoti ka thënë se Inspektorati është në përfundim të raportit dhe se varësisht nga konstatimet që dalin aty do merren masa. Fëmija ndërkaq vazhdon të jetë ende në trajtim mjekësor.
Raporti preliminar i Inspektoratit të Ministrisë së Punës e Familjes, për rastin e 5 vjeçarit nga Lipjani, u përpilua brenda dy ditësh, por jo edhe ai përfundimtar.
Ministri Andin Hoti thotë se ende nuk ka pranuar atë ndonëse kanë kaluar tri javë nga rasti, por që sipas tij raporti është në përfundim e sipër.

“Ende raportin përfundimtar nuk e kemi marr, raportin preliminar e kemi tregu jemi në pritje për shkak të numrit të madh të dokumenteve dhe për shkak se ka qenë edhe siç e kam treguar herëve të tjera, nuk ka qenë një veprim ad hoc, por me vite të tëra është punuar me atë familje volumi i madh i dokumenteve që është aty është duke e shqyrtuar komisioni në momentin që e marrim, raportin do jetë publik dhe do merren veprimet”, ka thënë ministri Andin Hoti.
Hoti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato shëndetësore.
“Fëmijët e kësaj familje janë adresuar dhe janë në vende strehuese dhe po trajtohen nga institucionet…nonstop jemi në komunikim me MSH-në ai është në trajtim ende, në momentin që është i aftë që të jetë bashkë me vëllezërit dhe motrat e tij natyrisht që përmes QPS-së, ne i ofrojmë strehim aty”, ka shtuar Hoti.
Ministri Hoti, kur kishte pranuar raportin preleminar kishte paralajmëruar pasoja për individët e përfshirë nëse ka shkelje të rënda, meqë kjo familje ishte e njohur për QPS-në e Lipjanit nga viti 2013 dhe se disa herë iu ishin marr fëmijët, për shkak të mostrajtimit të duhur.
Tashmë me këtë çështje janë duke u marr edhe Prokuroria në Prishtinë, nga e cila thanë se janë ende në fazën e procedurës hetimore dhe se kanë ndërmarr të gjitha veprimet.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se rasti ndodhet në fazën e procedurës hetimore. Aktualisht, Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje.”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Prishtinës.
5 vjeçari dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht nga prindërit e tij, që tashmë janë në paraburgim nën dyshimet për veprat shkelje të detyrimeve familjare dhe lëndimit të rëndë trupor./Tv Dukagjini





