Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe drejtuesja e Qarkut Fier Belinda Balluku, zhvilloi sot, më 11 prill, një vizitë në një kompani të madhe nga Koreja e Jugut që operon në zonën e Myzeqesë, në Fier.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e kompanisë dhe punonjësit, kryeministri Rama u ndal në rritjen e shpejtë të ndërmarrjes, duke theksuar se nga vetëm rreth 300 punëtorë në ditët e para të hapjes së kapanonit të parë, sot aty punojnë 1.996 punonjës, me ambicie për të arritur në 3 mijë.
“Mua më kujtohet kur kemi ardhur këtu ditën e parë që janë hapur dyert e kapanonit të parë. Në atë fillim, nëse nuk gabohem, ishin rreth 300 punëtorë”, tha Rama, duke shtuar se përfaqësuesit e kompanisë kishin ndarë me të ambicien për të zgjeruar prodhimin, ndërsa shqetësimi i vetëm ishte sigurimi i fuqisë punëtore.

Ai shprehu kënaqësinë për opinionin pozitiv të punonjësve dhe stabilitetin e tyre: “Më vjen mirë po ashtu që nga të gjitha informacionet që kemi marrë për kompaninë dhe nga opinionet e punonjësve, ato janë pozitive. Këtë e tregon fakti që punonjësit nuk largohen nga kompania”.
Kryeministri vlerësoi standardet e larta të kompanisë, e cila është pjesë e zinxhirit të prodhimit të automjeteve Kia dhe Hyundai, duke prodhuar me standarde ndërkombëtare të larta, jo më fasoneri të thjeshtë.
“Gjëja që ka më shumë rëndësi, besoj unë, përtej pagës, është fakti që kompania kujdeset për të gjitha garancitë për punonjësit dhe nga ana tjetër kujdeset që t’u japë orët shtesë për turnin e tretë, si dhe të garantojë të gjithë sistemin e marrëdhënieve mes punonjësve dhe punëdhënësit, bazuar në standarde etike”, nënvizoi Rama.
Ai lidhi suksesin e kësaj kompanie me transformimin ekonomik të Shqipërisë në tërësi, duke përmendur rritjen e PBB-së nga nën 10 miliardë euro në 27 miliardë euro, synimin për 35 miliardë brenda dekadës, si dhe rritjen e investimeve të huaja deri në 1,6 miliardë euro vitin e kaluar.
“Është pikërisht ky realiteti i përditshëm i punëve të Shqipërisë që bën që Shqipëria sot të jetë në një pozitë tjetër ekonomike Që Shqipëria sot të mos ketë më pak se 10 miliardë euro prodhim të përgjithshëm, por të ketë 27 miliardë dhe të synojë për të shkuar në 35 miliardë në këtë dekadë. Që Shqipëria të mos ketë më 300-400 milionë euro investime të huaja, siç kishte kur ne e morëm këtë të përpjetë, por të arrijë në 1,6 miliardë – një shifër domethënëse kjo e vitit të shkuar”, tha kryeministri.
Rama ripërsëriti angazhimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale, me masa lehtësuese për punëdhënësit gjatë periudhës tranzitore, si dhe masat e tjera si njohja e vjetërsisë në punë, injektimi i pagës dhe rritja e pensioneve.
“Ne do vazhdojmë ta rrisim pagën minimale – e kemi marrë këtë angazhim – por kemi marrë po ashtu angazhimin që, duke e arritur këtë minimum, të mbështesim këtë proces rritjeje me faza tranzitore lehtësuese për punëdhënësit”, shtoi ai./RTSH





