Sëmundje që deri para disa vitesh konsideroheshin karakteristike për moshën e tretë po diagnostikohen gjithnjë e më shpesh edhe te të rinjtë.
Sipas radiologut Ilir Ahmetxhekaj, ndryshimi i stilit të jetesës, ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë trend shqetësues.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Ahmetxhekaj tha se radiologjia po zbulon gjithnjë e më shumë patologji te grupmosha të reja, të cilat dikur haseshin kryesisht te personat e moshuar.

“Është një pyetje që ia vlen të diskutohet. Fatkeqësisht, po shohim gjithnjë e më shpesh se probleme që më parë i lidhnim me moshën e tretë po paraqiten edhe te të rinjtë”, u shpreh ai.
Sipas radiologut, kjo nuk nënkupton se të rinjtë po preken nga sëmundje tipike të moshës së tyre, por se te persona që konsiderohen të shëndetshëm po shfaqen ndryshime degjenerative dhe metabolike që më herët diagnostikoheshin shumë më vonë në jetë.
“Kur flas për këtë fenomen, nuk e kam fjalën për sëmundjet që janë karakteristike për moshat e reja. E kam fjalën për popullatën potencialisht të shëndoshë, e cila, për shkak të stilit modern të jetesës dhe mënyrës së ushqyerjes, po zhvillon probleme që dikur i shihnim kryesisht te moshat e shtyra”, tha Ahmetxhekaj.
Ai theksoi se diagnostikimi i hershëm mbetet faktori më i rëndësishëm për trajtimin me sukses të këtyre sëmundjeve, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos i neglizhojnë shenjat që u jep organizmi.
“Secili individ duhet t’u kushtojë vëmendje simptomave që shfaq organizmi. Sa më herët të paraqitet te mjeku, aq më të mëdha janë mundësitë që sëmundja të zbulohet në kohë dhe të trajtohet me sukses”, deklaroi ai.
Ahmetxhekaj nënvizoi se zhvillimi i teknologjisë radiologjike ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e diagnostikimit, duke bërë të mundur identifikimin e sëmundjeve në faza shumë të hershme.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





