Qeveria amerikane u ka kërkuar të gjithë amerikanëve të largohen menjëherë nga Libani, pas një paralajmërimi të ngjashëm për ata në Irak.
Ambasada amerikane në Bejrut paralajmëroi se situata e sigurisë në Liban ishte “e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme”, me sulme ajrore, aktivitet dronësh dhe sulme me raketa të raportuara, veçanërisht në jug, Luginën Beqaa dhe pjesë të kryeqytetit.

Ambasada paralajmëroi se edhe universitetet amerikane në rajon janë kërcënuar, duke shtuar se Irani dhe milicitë e lidhura me të mund të synojnë institucionet në Liban.
Njoftimi vjen pas zhvillimeve të fundit, përfshirë rrëzimin e një aeroplani luftarak amerikan mbi Iranin dhe sulmet nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në disa pjesë të Bejrutit.
Ndryshe, më herët këtë vit, qeveria amerikane kishte urdhëruar të gjithë stafin jo-thelbësor të largohej nga ambasada e saj në Bejrut pas një shqyrtimi të sigurisë.
Rreth 50 anëtarë të stafit të ambasadës amerikane u urdhëruan të largoheshin në atë kohë. /Telegrafi/





