Qytetarë e ish-luftëtarë në Prekaz bëjnë thirrje për unitet në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Në Kompleksin Memorial Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz janë bërë homazhe me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK‑së, ku qytetarë, ish-luftëtarë dhe nxënës nga vende të ndryshme të Kosovës kanë bërë thirrje për unitet dhe respekt ndaj sakrificës së dëshmorëve.
Ata theksuan se sakrifica e familjes Adem Jashari dhe e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri mbetet frymëzim për brezat e rinj dhe kujtesë për rëndësinë e bashkimit kombëtar.
Qytetari nga Klina, Esat Raci, tha se Epopeja e Jasharëve mbetet një nga momentet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar dhe se çdo shqiptar duhet ta vizitojë Prekazin për të marrë frymëzim.
“Epopeja e Jasharëve është epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar. Çdo shqiptar që e ndien veten shqiptar i vërtetë duhet të vijë t’i vizitojë këto varre, po ashtu edhe shtëpinë e Jasharëve, të marrë frymëzim për të ardhmen e brezave të rinj. Populli ka qenë, është edhe mbetet i bashkuar çdo herë rreth figurave emblematike të popullit shqiptar, sidomos tek familja Jashari. Edhe kështu, mesazhi im i qartë është që populli çdo herë do të gjejë frymëzimin për punë, për të ardhmen e fëmijëve tanë tek familja Jashari”, tha ai.
Ai shtoi se sakrifica e familjes Jashari duhet të shërbejë edhe si mesazh për partitë politike në Kosovë.
“Mesazhi më i mirë për të gjitha partitë politike është ky vend, kjo sakrificë e familjes Jashari që t’ua kthejnë memorien mbrapa ku kemi qenë, ku kemi qenë dhe ku jemi tash falë gjakut dhe sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, ne sot gëzojmë lirinë. Prandaj, disa vendime apo disa përpjekje të partive politike për ta përvetësu familjen Jashari janë të kota sepse familja Jashari është e popullit”, tha ai.
Ish-komandanti i Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Vesel Aruqaj – i njohur si “Rambo”, tha se numri i madh i vizitorëve në Prekaz tregon respektin e popullit për sakrificën e dëshmorëve.
“Po mesazhi ma i mirë asht këtu vetë populli flet. Domethënë lumë këta çka kanë ba për atdhe, për Kosovë. A po i shihni sa njerëz, sa vizitorë, domethënë me mijëra të ardhë këtu, vend i shenjtë sikur me qenë domethënë në Qabe. Ata Zoti i shpërbleftë këta dëshmorë e këto familje që kanë dhënë ma së shumti për atdhe e për liri, për komb. E një këshillë kisha dashtë me ju dhanë që a po e shihni sikur këtë ditë qysh jemi të bashkum për njo-tjetrin, qashtu me konë të bashkum tanë jetën, krejt populli shqiptar kudo që janë. Edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni, edhe n’Preshevë, tanë me konë njo, se ne duhet me konë shumë mes vete, duhet me qenë të drejtë, me i dashtë njo-tjetrin, me i nderu, me i respektu, se vetëm bashkimi bën fuqi”, tha ai.
Shaban Çufaj nga fshati Prilep i komunës së Deçanit tha se së bashku me nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën kanë ardhur për të bërë homazhe në Prekaz, duke theksuar se sakrifica e dëshmorëve është arsyeja pse Kosova gëzon lirinë sot.
“Jemi ardhë këtu së bashku me nxënësat prej klasës së parë deri n’të nëntën, me bo homazhe pranë kompleksit memorial Adem Jashari. Mesazhi ynë është se falë sakrificës, gjithë atij mundit edhe jetës që e dhanë këta dëshmorë, ne jemi këtu ku jemi. Mesazhi im është që sa më shumë me pasë unitet, sa më shumë me u bashku, mos me pas ndasi, derisa pe shihni situatën qysh është jashta Kosovës, derisa shtetet tjera po përgatiten ndoshta edhe për luftë, na e kemi hala problemin e pazgjedhur për president. Kisha pas qejf vetëm unitet me pasë, mos me pas mosmarrëveshje, keqkuptime, me qenë sa më të bashkum”, tha ai.