Në episodin e dytë të podcastit “Rrugëtimi” me autore Jehona Hulaj, e ftuar ishte Bardha Qirezi, një profesioniste me mbi dy dekada përvojë në fushën e arsimit, e cila ndau rrëfimin e saj personal dhe profesional për sfidat, vlerat dhe përkushtimin në këtë sektor.
Qirezi tregoi se rrugëtimi i saj në arsim ka nisur që në fëmijëri, duke u rritur në një familje ku edukimi ka qenë në qendër të gjithçkaje.
“Unë jam rritë në një familje ku arsimi ka qenë gjithçka dhe kjo ka ndiku shumë në mënyrën se si e kam pa edhe jetën, jo vetëm shkollimin”, u shpreh Qirezi.

Bardha Qirezi gjatë bisedës në podcastin “Rrugëtimi” në TelegrafiFoto: Ridvan Slivova
Duke folur për qasjen e saj ndaj punës dhe sfidave, ajo theksoi rëndësinë e disiplinës dhe përkushtimit.
Ajo theksoi se tri vlera kryesore kanë ndikuar në formimin e saj: dëshira për të mësuar, qasja ndaj punës si projekt dhe integriteti.
“Gjithçka që fillon mundet me u kry në mënyrë si një projekt edhe diçka që është e vështirë, nëse i qasesh me përkushtim dhe e sheh si proces, jo si diçka që të ndalet në mes”, tha ajo.
Një nga elementet që, sipas saj, e ka përcaktuar rrugëtimin e saj është integriteti.
“Më identifikon si person dhe më ka udhëheq në rrugëtimin tim, sepse në çdo vendim dhe në çdo hap që e kam marrë, kam tentu me mbetë besnike ndaj vlerave të mia”, u shpreh Qirezi.
Ajo ndau edhe pikëpamjen e saj për sistemin arsimor, duke theksuar se shpesh fokusi vendoset në mënyrë të gabuar.
“Edukimi nuk është veç diçka që mëson për notë, por është diçka që mëson për jetë, për mënyrën si mendon, si vepron dhe si e ndërton veten si individ”, theksoi ajo.
Sipas saj, procesi i të mësuarit duhet të lidhet me përvojën praktike dhe me zhvillimin e aftësive që i shërbejnë individit në jetën e përditshme.
Bardha Qirezi gjatë bisedës në podcastin “Rrugëtimi” në TelegrafiFoto: Ridvan Slivova
Ajo theksoi se një nga gabimet kryesore është fokusimi i tepërt në nota, duke lënë anash aspektet tjera të rëndësishme si edukata dhe kultura.
“Qëllimi i mësimit është me mësu diçka që s’e ke ditë përpara, jo vetëm me kalu një provim apo me marrë një notë”, tha Qirezi.
Qirezi shtoi se edukimi fillon në familje dhe më pas zhvillohet në shkollë dhe në shoqëri, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes këtyre faktorëve.
Në këtë episod, ajo sjell një reflektim të thellë për rolin e edukimit në shoqëri, duke theksuar se përtej sistemit formal, janë vlerat dhe qasja ndaj jetës ato që e formësojnë një individ.
Ky podcast publikohet një herë në muaj në të gjitha platformat e Telegrafi.com. /Telegrafi/





