Edhe njerëzit plotësisht të shëndetshëm mund të mbartin viruse pa e ditur. Këta patogjenë të fshehur mund të qëndrojnë për vite joaktivë, pa simptoma, por në rrethana të caktuara riaktivizohen dhe shkaktojnë sëmundje që nuk eliminohen plotësisht
Një studim i ri hedh më shumë dritë mbi viruset e zakonshme që fshihen brenda qelizave të njerëzve të shëndetshëm, si dhe mbi sasinë e viruseve që njerëzit zakonisht mbartin, shkruan Science Alert.
Një ekip studiuesish nga “Harvard Medical School” analizoi të dhëna nga mostrat e gjakut dhe pështymës të më shumë se 917.000 njerëzve nga tri baza mjekësore të të dhënave. Ata studiuan modelet e sasisë së ADN-së virale që qarkullon në trup kur infeksionet nuk kalojnë në sëmundje.

Duke analizuar fragmente gjenetike, ata llogaritën të ashtuquajturën ngarkesë virale, një tregues që tregon cilët viruse janë të pranishëm dhe sa me sukses sistemi imunitar i mban nën kontroll.
Studiuesit lidhën nivelin e ngarkesës virale me pjesë të caktuara të ADN-së njerëzore, duke e vënë në lidhje me karakteristikat gjenetike me faktorë si mosha dhe gjinia, si dhe me aftësinë e organizmit për t’i shtypur viruset.
Edhe më të shëndetshmit ndër ne zakonisht mbartin viruse në trup.
Këta viruse “të fshehur” mund të shfaqen më vonë si sëmundje, por përndryshe mbeten në gjendje të fjetur, duke shmangur zbulimin në mënyrë që të mos eliminohen plotësisht, transmeton Telegrafi.
“Po arrijmë në një pikë ku mund të përdorim gjenetikën njerëzore për t’iu përgjigjur pyetjeve themelore rreth sëmundjeve që shkaktohen nga viruset”, tha gjenetisti dhe autori kryesor Nolan Kamitaki.
Të dhënat zbuluan 82 vendndodhje specifike në gjenomin njerëzor që lidhen me sasinë e ADN-së virale, veçanërisht në të ashtuquajturin Major Histocompatibility Complex (MHC), qendra kryesore e kontrollit të sistemit imunitar.
U vërejtën edhe modele të ndryshme te disa viruse. Për shembull, virusi Epstein-Barr bëhet më i shpeshtë me kalimin e moshës, ndërsa virusi herpes HHV-7 zvogëlohet pas moshës së mesme. Niveli i EBV-së rritet gjatë dimrit dhe bie gjatë verës, ndërsa viruset e tjera mbeten më të qëndrueshme.
Duke përdorur një metodë statistikore të njohur si randomizimi mendelian, studiuesit shqyrtuan më tej lidhjet ndërmjet viruseve dhe sëmundjeve të caktuara.
Ekipi konstatoi se niveli i lartë i EBV-së përbën një faktor të drejtpërdrejtë rreziku për zhvillimin e limfomës Hodgkin më vonë në jetë.
Megjithatë, e njëjta lidhje nuk u konfirmua ndërmjet EBV-së dhe sklerozës së shumëfishtë, megjithëse dihet se EBV mund të nxisë këtë sëmundje. Kjo tregon se lidhja varet nga mënyra se si sistemi imunitar reagon ndaj virusit, dhe jo vetëm nga sasia e tij në trup.
“Ky zbulim tregon pse studimet mbi viruset në baza të mëdha të të dhënave gjenetike janë kaq të rëndësishme”, shtoi Kamitaki.
Sa i përket lidhjes ndërmjet EBV-së dhe limfomës Hodgkin, rezultatet sugjerojnë se barnat antivirale potencialisht mund të ulin rrezikun, por kjo hipotezë ende duhet të konfirmohet.
Në ngarkesën virale ndikojnë edhe faktorë jo gjenetikë, përfshirë moshën, gjininë dhe duhanpirjen. Shumica e viruseve rezultuan më të shpeshta te meshkujt sesa te femrat.
Studiuesit mund t’i zhvillojnë më tej këto gjetje për të kuptuar më mirë pse rreziku nga sëmundjet ndryshon ndërmjet njerëzve, edhe kur ata mbartin të njëjtat viruse.
Këto viruse janë më të përhapura sesa mendohet. Tre viruse që studiuesit i ndoqën, të njohur si aneloviruse, janë të pranishëm te 80 deri në 90 për qind e popullsisë, por lidhja e tyre me sëmundjet ende nuk është plotësisht e qartë.
Është e rëndësishme të theksohet se, për shkak të të dhënave të përdorura, studiuesit analizuan vetëm viruset ADN, të cilat fshihen në ADN dhe “marrin” funksionet e saj. Studime të mëtejshme mund të përfshijnë edhe viruset ARN, si koronaviruset, të cilat funksionojnë në mënyrë të ndryshme.
Gjithashtu, në shëndetin tonë nuk ndikojnë vetëm infeksionet aktuale. Edhe viruset e lashta, të integruara në gjenomin tonë shumë kohë më parë, mund të kenë ende ndikim në organizëm. /Telegrafi/





