(E plotësuar) – Situata është tensionuar në protestën e opozitës në Tiranë, ndërsa bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është zbrazur nga protestuesit për shkak të tymit dhe gazit lotsjellës.
Zona është mbuluar nga shtellunga gazi lotsjellës të hedhur nga Policia e Shtetit, çka ka bërë që qytetarët të largohen nga vendngjarja.
Ndërkohë raportohet se marshimi i protestuesve është zhvendosur drejt Bashkisë së Tiranës dhe më tej drejt disa ministrive.

Fishekzjarrë e molotovë drejt Kryeministrisë-kundërpërgjigjet policia
Kanë nisur hedhjet e molotovëve dhe lëndëve piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë.
Me dhjetëra fishekzjarrë u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa policia u kundërpërgjigj me hedhje uji nga të dyja anët dhe gaz lotsjellës.
Për shkak të përplasjeve, disa protestues u shpërndanë, ndërsa edhe Berisha u largua me ndihmën e truprojeve të tij.
Kreu i PD u mbrojt me çadra, ndërsa demokratët u ndanë në dy kampe në Bulevard.








