Problemet me fraksionin (kuplungu) e veturës shpesh shfaqen përmes disa shenjave të vogla, të cilat shoferët nuk duhet t’i neglizhojnë, pasi një defekt i parëndësishëm mund të shndërrohet në një riparim të kushtueshëm.
Një nga simptomat e para është ndryshimi në funksionimin e pedalit të friksionit. Nëse ai fundoset, bëhet shumë i butë ose nuk kthehet në pozicionin fillestar, shkaku mund të jetë një defekt në mekanizmin e komandimit.
Te veturat më të vjetra, problemi mund të lidhet me këputjen e kabllos së friksionit, ndërsa te modelet më të reja shpesh shkaktohet nga rrjedhjet në sistemin hidraulik ose dëmtimi i cilindrit përkatës.

Një tjetër shenjë e zakonshme është rrëshqitja e friksionit. Kjo vërehet kur motori rrit xhirot gjatë përshpejtimit, por vetura nuk e shton shpejtësinë në të njëjtën masë. Në këtë rast, fuqia e motorit nuk transmetohet siç duhet te rrotat.
Nëse problemi vazhdon, friksioni mund të mbinxehet dhe të humbasë gradualisht funksionin e tij. Një erë e fortë djegieje, tymi dhe humbja e fuqisë janë shenja që mund të tregojnë për një dëmtim më serioz.
Shoferët duhet t’u kushtojnë vëmendje edhe dridhjeve gjatë nisjes nga vendi, si dhe zhurmave të pazakonta kur shtypin ose lirojnë pedalin e friksionit.
Këto probleme mund të bëhen më të dukshme gjatë udhëtimeve të gjata, kur sistemi nxehet, ose kur vetura bart ngarkesë të madhe.
Sipas këshilltarit teknik të Shërbimit të Ndihmës në Rrugë të Klubit Kroat të Automobilizmit (HAK), Marin Morava, reagimi me kohë ndaj simptomave mund të parandalojë dëmtime të mëtejshme.
Në rast të shfaqjes së shenjave të mbinxehjes, rekomandohet ndalimi i veturës dhe lënia e saj të ftohet. Megjithatë, nëse shfaqet tym ose erë e fortë djegieje, është e rëndësishme të mos vazhdohet udhëtimi pa një kontroll teknik.
Riparimi i friksionit mund të zgjasë nga një deri në pesë ditë pune, në varësi të llojit të defektit, kompleksitetit të ndërhyrjes dhe disponueshmërisë së pjesëve rezervë.
Kontrolli në kohë në servis mbetet mënyra më e mirë për të shmangur dëmtimet më të mëdha dhe shpenzimet e panevojshme. /Telegrafi/





