Prishtina Open 2026 ka nisur në Prishtinë, duke mbledhur për tri ditë sportistë nga vende të ndryshme. Dita e parë solli garat e kategorisë U21 dhe të veteranëve, me paraqitje të shkëlqyera edhe nga lojtarët kosovarë.
Kryefjala e ditës ishte Anisa Domaniku, e cila triumfoi në U21. Pas një rrugëtimi të suksesshëm, ajo mposhti në finale maqedonasen Stojanovska me 3:2 në sete. Sara Hoxha u rendit e treta.
Te djemtë U21, Akil Mahmuti zuri vendin e dytë pas humbjes në finale ndaj turkut Ibrahim Zer, ndërsa Adriatik Maloku fitoi vendin e tretë pas duelit me Eron Karabaxhakun.
Gara interesante pati edhe te veteranët. Oleh Biletskyi triumfoi në kategorinë 40–49, Oleksii Naplokov në 50–59, Jonuz Tufa nga Shqipëria në 60–64, Remzi Shala në 65–69 dhe Sheshivar Veliu në kategorinë 70+.
Një risi e veçantë e këtij edicioni ishte edhe prezantimi i VR Table Tennis Experience, ku pjesëmarrësit dhe vizitorët patën mundësinë ta provojnë pingpongun përmes realitetit virtual, duke i dhënë turneut edhe një dimension teknologjik dhe argëtues.
Prishtina Open vazhdon sot (e shtunë), me garat U13 nga ora 10:00, ndërsa nga ora 14:00 fillon faza e grupeve për seniorë. /Telegrafi/






