Ted Sarandos, një nga drejtuesit kryesorë të Netflix, ka ndalur së ndjekuri në Instagram Meghan Markle dhe brendin e saj të stilit të jetesës As Ever.
Ironikisht, Sarandos kishte qenë ndër emrat e parë të mëdhenj që e kishte ndjekur Meghanin kur ajo u rikthye në rrjetet sociale në fillim të vitit 2025. Edhe vetë brendi i saj e kishte përfshirë atë në listën e përzgjedhur të profileve që ndiqte.
Megjithatë, rreth një muaj më parë, Sarandos vendosi të mos i ndjekë më as Meghanin dhe as “As Ever”, një veprim që u pasua edhe nga drejtoresha e përmbajtjes në Netflix, Bela Bajaria. Ndërkohë, bashkëshortja e Sarandos, Nicole Avant, vazhdon ta ndjekë Meghanin, por jo brendin e saj.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur po shtohen raportimet për një ftohje të marrëdhënieve mes Netflix dhe çiftit mbretëror, Prince Harry dhe Meghan Markle.
Bashkëpunimi mes palëve kishte nisur në shtator të vitit 2020, menjëherë pas largimit të tyre nga familja mbretërore britanike, me synimin për të krijuar përmbajtje që informon dhe frymëzon. Edhe pse kontrata u rinovua vitin e kaluar, një raport i fundit i publikuar nga Variety sugjeron se marrëdhënia është përkeqësuar.
Sipas burimeve anonime të cituara nga revista, Sarandos thuhet se kishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në biseda me Meghanin pa praninë e një avokati. Madje, një burim ka pohuar se brenda Netflix mbizotëron ndjenja se “janë lodhur” nga çifti.
Këto pretendime janë mohuar kategorikisht nga Netflix dhe përfaqësuesit ligjorë të çiftit. Një zëdhënës i kompanisë i cilësoi deklaratat si “absolutisht të pavërteta”.
Ndërkohë, avokati i tyre, Michael J. Kump, theksoi se Meghan komunikon rregullisht me Sarandos dhe madje ka qenë edhe në shtëpinë e tij, pa praninë e një avokati.
Ai hodhi poshtë edhe pretendimet për sjelljen e Meghan gjatë takimeve virtuale, ku thuhej se ajo largohej nga thirrjet Zoom për të shprehur pakënaqësi. Sipas tij, si nënë e dy fëmijëve të vegjël, ajo thjesht duhet ndonjëherë të largohet për t’u kujdesur për ta.
Kjo situatë vjen paralelisht me mbylljen e brendit As Ever, i cili përfshinte produkte si reçel, çaj dhe verë. Brendi u lansua bashkë me serialin e saj “With Love, Meghan”, por nuk arriti suksesin e pritur në treg.
Netflix i dha fund zyrtarisht bashkëpunimit më 6 mars, ndërsa edhe emisioni nuk do të ketë një sezon të tretë, por do të vazhdojë vetëm me speciale sezonale.
Megjithatë, projekti i parë i çiftit për platformën, dokumentari Harry & Meghan nga viti 2022, rezultoi një sukses i madh, duke u bërë debutimi dokumentar më i shikuar ndonjëherë në Netflix.
Raportet sugjerojnë se Netflix është “i lodhur” nga temat e përsëritura të çiftit mbi largimin nga jeta mbretërore, ndërsa disa figura të njohura të industrisë thuhet se hezitojnë të bashkëpunojnë me ta.
Megjithatë, kompania e tyre Archewell ka ende dy projekte në zhvillim me Netflix, përfshirë adaptimin e romanit “The Wedding Date” dhe një film të bazuar në librin bestseller “Meet Me at the Lake”. /Telegrafi/





