Preshevari Adnan Asllani rrëfen si u krijua logoja historike e UÇK-së

Dizajneri preshevar Adnan Asllani ka zbuluar detaje mbi krijimin e emblemës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një nga simbolet më të njohura të luftës në Kosovë.

I ftuar në Euronews Albania në një intervistë me gazetarin Thimi Samarxhiu, Asllani tha se ideja për logon ka nisur në vjeshtën e vitit 1997, ndërsa domosdoshmëria për një emblemë zyrtare u shtua pas daljes publike të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci në Drenicë.

Ai tregoi se pas kontakteve me kryesinë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe një pune intensive rreth 10-ditore, kishte realizuar disa variante të emblemës. Versioni që sot njihet si zyrtar, sipas tij, mori miratimin unanim të kryesisë së asaj kohe, ndonëse vetë nuk kishte qenë i pranishëm në mbledhjen përfundimtare.

Asllani theksoi se logoja përmban tri shkronjat karakteristike të UÇK-së dhe elemente grafike që lidhen me krahët e shqiponjës, duke simbolizuar bashkimin me flamurin kombëtar dhe traditën historike të luftërave shqiptare.

Ai kujtoi gjithashtu vështirësitë e kohës, duke theksuar se dërgimi i emblemave në Kosovë ishte po aq i rrezikshëm sa transportimi i armëve. “Futja e kësaj embleme është bërë me të njëjtën përgjegjësi dhe rrezikshmëri siç janë dashur për armët”, u shpreh Asllani.

Sipas tij, përhapja e emblemës ishte e shpejtë dhe brenda një kohe të shkurtër ajo u bë simbol identifikues i forcave të UÇK-së.