Duhet ta pranoj se ditët e fundit ka pasur një mori befasuese, edhe pse disi fantastike, diskutimesh për rikthimin e Tony Blairit si kryeministër. Zhurma e jashtëzakonshme rreth esesë së tij me mbi pesë mijë fjalë, ku përshkruante rrëmujën në të cilën ndodhen vendi dhe Partia Laburiste, tërhoqi një vëmendje të madhe për dikë që ka qenë jashtë pushtetit për gati 20 vjet.
Ishte vërtet e papritur dhe e paprecedentë në përçmimin ndaj pasardhësit të tij, që tejkalohet vetëm nga “inati i pabesueshëm” hakmarrës i Ted Heathit në luftën e tij të ftohtë kundër Margaret Thatcherit. Të paktën, Heath kishte një arsye të fortë për mllef, duke qenë se ajo e kishte rrëzuar nga posti dhe mes tyre kishte një humnerë sa u përket çështjeve themelore, sidomos për Evropën. Blair nuk ka një justifikim të tillë. Keir Starmer, siç mund ta kujtojmë, konsiderohej gjerësisht si gjëja më e afërt me një blerist që partia kishte arritur të vendoste që nga koha kur vetë Blair u largua gradualisht nga Gordon Browni, dhe Blair dukej se kishte pak mospajtime serioze me pasardhësin e tij të ardhshëm.
Edhe tani, Blair arrin t’i japë Starmerit njëfarë merite të tërthortë për rindërtimin e partisë pas epokës Corbyn – megjithëse vetëm deri në pikën ku ajo u bë një alternativë “e pranueshme” dhe “standarde” ndaj konservatorëve të dënuar dhe të diskredituar. (Starmeri duket tepër i sjellshëm për të vënë në dukje se humbja e John Majorit në vitin 1997 ishte po aq e pashmangshme.) Gjithsesi, raportohet se të dy nuk shkojnë fort mirë me njëri-tjetrin, pavarësisht – ose ndoshta pikërisht për shkak – se të dy janë juristë progresistë nga Veriu i Londrës.
Nuk jam i sigurt se çfarë rezultati do të sillte një sondazh “sa për qejf” i opinionit publik, që do të vinte përballë Sir Tonyn me Sir Keirin. Megjithatë, dyshoj se rezultatet nuk do të ishin ngushëlluese për banorin aktual të rraskapitur të Kryeministrisë – edhe nëse ai banor vazhdon ende të jetë aty, kundër të gjitha gjasave, sfidues si “shtylla e padobishme plastike” që Boris Johnsoni e quajti dikur. Dhe, kjo ndodh vetëm disa javë pasi Starmeri ishte sulmuar haptazi nga deputetët e vet dhe ishte konsideruar politikisht i mbaruar në qarqet mediatike.
Disa nga kolegët e mi, me një ndjenjë të shtrembëruar të historisë, theksojnë me gëzim se, ndonëse Blairi është 73 vjeç, ai mbetet energjik, dhe se Winston Churchilli ishte afërsisht në të njëjtën moshë kur udhëhoqi Britaninë në orën e saj më të errët në vitin 1940.
Në një sondazh të ri të YouGov, zhvilluar pas esesë së Blairit Të luash me zjarrin, pyetja “Kush mendoni se do të ishte kryeministri më i mirë sot, Keir Starmer apo Tony Blair?” i dha Blairit një epërsi prej dy pikësh ndaj kryeministrit aktual. Kur vjen koha, vjen edhe njeriu.
Ose ndoshta jo. Pika thelbësore këtu, e bërë më shumë për të ndriçuar gjendjen e Partisë Laburiste sesa si një propozim praktik, është se Blair – ose, më saktë, dikush si ai – nuk mund të zgjidhet si lider.
Siç thotë shakaja e vjetër, Blairi bëri aq shumë për Partinë Laburiste, saqë ata nuk dinë si ta falin. Ai i fitoi tri zgjedhje të përgjithshme, e transformoi vendin për të mirë – si në aspekt shoqëror ashtu edhe ekonomik; i shkatërroi konservatorët dhe solli një dekadë rritjeje të qëndrueshme, pa ndërprerje – me inflacion të ulët dhe shumë vende pune. “Britania interesante” [Cool Britannia] ishte më e mirë sesa tingëllon, dhe ai e la Britaninë më të pasur dhe më të lirë sesa e gjeti. Lufta në Irak ishte një katastrofë, por kjo është vetëm një arsye pse aktivistët laburistë e urrejnë atë.
Ashtu si vetë Blairi, edhe unë kam ndjesinë se laburistëve nuk u pëlqente mënyra agnostike me të cilën ai bënte politikë. Ata parapëlqejnë të jenë të pastër dhe të humbasin, sesa të bëjnë kompromis dhe të fitojnë. Siç e shprehu vetë Blair në trajtesën e tij të gjatë, “Qeveria po qeveris nga një pozicion thelbësisht tradicional laburist i ‘së majtës së butë’, e ngulitur fort në zonën e rehatisë së partisë,” Siç vërente shpesh ai me një psherëtimë të zymtë gjatë viteve shterpe – viteve ’80 të shekullit XX: “Laburisti e do humbësin.”
Me fjalë të tjera, Laburisti i Ri [doktrina New Labour] ishte në thelb një shmangie nga norma dhe u pranua nga anëtarësia vetëm pasi partia kishte marrë katër humbje ndëshkuese radhazi nga konservatorët në vitet 1979, 1983, 1987 dhe 1992. Karriera të tëra politike ishin shpërdoruar në opozitë, duke pritur që lavjerrësi të kthehej mbrapsht. Laburisti është në thelb një parti e njerëzve kokëfortë që mësojnë ngadalë, të cilët do të takojnë elektoratin vetëm në gjysmë të rrugës kur të mos mbetet asnjë alternativë tjetër. Kjo do të ndodhte përsëri pas humbjes së vitit 2010 – pasuan 2015-ta (nën Ed Milibandin tipik të “së majtës së butë”), 2017-ta (edhe pse me diferencë më të ngushtë, me një socialist të mirëfilltë në krye) dhe 2019-ta (një shpartallim). Vetëm atëherë ata do t’i drejtoheshin qendrës, dhe Starmerit iu desh të bënte disa premtime cinike për ta mposhtur bindshëm Rebecca Long-Baileyn në vitin 2020.
Ngritja bleriste, pavarësisht dukjes, nuk ishte as e plotë dhe as e përhershme. Madhësia e mjerë e prirjes bleriste mund të matet saktësisht me rreth katër për qind – aq ishte përqindja e votave që Liz Kendall mori në garën për lidershipin e vitit 2015, dhe po aq ishte rezultati që Wes Streeting kishte në sondazhin e fundit të anëtarëve të partisë. Ëndrra e Blairit që Laburisti i Ri të bëhej boshti, “qendra radikale” për një riorganizim të sistemit partiak britanik, nuk mbijetoi gjatë pas largimit të tij. Siç na kujton përqeshja që ish-shokët e tij i bënë esesë së tij, ai dhe idetë e tij mbeten po aq të papëlqyer sa gjithmonë.
Partia e tij e vjetër është po aq e pamëshirshme ndaj tij sa ai ndaj tyre dhe, për arsye shumë më të thella sesa Iraku, nuk do të ketë pajtim. Starmeri, në përgjigjen e tij ndaj Blairit në Substack-un e tij si kryeministër, ishte i ftohtë dhe i sjellshëm, por ndër të tjera tha se “qartazi, ne kemi pikëpamje shumë të ndryshme për konfliktin në Iran.”
Andy Burnham – dikur një blerist i devotshëm – e ka hedhur poshtë administratën Blair si një shmangie të pendesës thaçeriste gjatë dimrit 40-vjeçar të neoliberalizmit. Wes Streeting, ish-mik i Peter Mandelsonit dhe për një kohë të gjatë i konsideruar si rimishërim i revolucionit të Blairit, tani tingëllon më shumë si Roy Hattersley kur e kritikon Blairin se nuk e përdori asnjëherë fjalën “pabarazi” në enciklikën e tij. Kjo sepse Streetingu e di se nuk ka mjaftueshëm anëtarë të krahut të djathtë të laburistëve për të firmosur dokumentet e kandidimit të tij dhe ai ka nevojë dëshpërimisht të tërheqë disa nga “të butët” për të hyrë në fletën e votimit.
Ka edhe një pyetje tjetër që kërkon përgjigje: Çfarë do të bënte Kryeministri Blair “2.0,” në ndonjë botë të fantazisë politike?
Do të shqetësohesha. Ai do të hiqte dorë nga shumë premtime elektorale për gjithçka, nga të drejtat e punëtorëve dhe paga minimale deri te rivendosja e marrëdhënieve me BE-në dhe objektivi për mbrojtje mjedisore. Ai do të bashkëpunonte me Donald Trumpin, ashtu siç bëri dikur me Bill Clintonin dhe George W. Bushin, dhe do ta lejonte forcën ajrore amerikane të përdorte bazat britanike për të bombarduar Iranin.
Bizneseve do t’u jepej shumë më tepër liri për inteligjencën artificiale dhe rritjet e taksave do të anuloheshin, me gjasë duke u financuar përmes shkurtimit të sigurimeve shoqërore. Më shqetësuesja, ai dha deklaratën rrëqethëse se do të bënte “çfarëdo që të duhet” për të ndalur varkat e vogla që kalojnë Kanalin Anglez – se do të merrej me to “me çfarëdo mjeti.”
Kjo tingëllon paksa si Farage; shpresoj të mos nënkuptojë urdhërimin e Marinës Mbretërore për t’i fundosur.
Ky është një program radikal, pa dyshim, por jo vërtet “i qendrës.” Në fakt, tingëllon më shumë si kandidim për lidershipin e Partisë Konservatore sesa si përpjekje për rikthim te laburistët.
Blairit iu dha shumë shpejt e drejta kur vërejti se sapo partia e tij të largohej “një milimetër nga Laburisti i Ri,” ajo do të ishte e dënuar; por, nuk jam i bindur se manifesti i tij më i fundit do të ishte aq i zbatueshëm apo i dëshirueshëm sa duket se ai mendon. E tillë është gjendja e vendit sot, saqë edhe Tony nuk ka një plan. /Telegrafi/





