Trafiku i botëve në internet do të tejkalojë aktivitetin e njerëzve deri në vitin 2027, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë teknologjike Cloudflare, Matthew Prince, në një konferencë në Austin, SHBA.
Ai tha se zgjerimi i inteligjencës artificiale do të shkaktojë një pikë kthese historike në strukturën e trafikut në internet. Sipas parashikimeve të tij, gjatë viteve të ardhshme, sasia e të dhënave që gjenerojnë agjentët e AI-së dhe botët do të tejkalojë aktivitetin total të përdoruesve njerëzorë në rrjet.
Prince shpjegoi se inteligjenca artificiale që krijon përmbajtje kërkon ndërveprime shumë më të mëdha me faqet në internet: një njeri zakonisht viziton vetëm disa faqe për të gjetur informacion, ndërsa një agjent AI mund të vizitojë mijëra faqe brenda sekondash për të mbledhur informacion të nevojshëm.

Para ngritjes së inteligjencës artificiale gjeneruese, botët përbënin rreth 20 për qind të trafikut të internetit, ku ndër ta ishin edhe botët e zakonshëm të motorëve të kërkimit si Googlebot. Por, “uria” për të dhëna të modeleve AI do të ndryshojë dramatikisht këtë statistikë.
Prince theksoi se ky ndryshim është po aq themelor sa tranzicioni kur tregu u zhvendos nga kompjuterët desktop te pajisjet mobile, dhe se do të kërkojë një infrastrukturë të re, si fizike ashtu edhe digjitale.
Ai gjithashtu përmendi se ky trend sjell një ngarkesë shumë të madhe për serverët në të gjithë botën, që mund të tejkalojë edhe presionin në rrjetin e internetit të shënuar gjatë pandemisë.
Cloudflare, që hoston rreth një të pestën e faqeve në internet në mbarë botën, thotë se interneti do të duhet të adaptohet duke krijuar miliona mjedise të përkohshme të izoluar në sekondë, ku kodet e AI-së do të punojnë dhe pastaj do të zhduken pasi të kryejnë detyrat e tyre. /Telegrafi/





