Plava thotë se për vrasjen kishte marrëveshje me Murselin: Më tha që edhe Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni për këtë rast

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, në sesionin e pasditës po jep mbrojtjen i akuzuari Plava, i cili tha se vrasja ishte kryer në marrëveshje me Murselin, i cili i kishte premtuar s...

Nacionale

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, në sesionin e pasditës po jep mbrojtjen i akuzuari Plava, i cili tha se vrasja ishte kryer në marrëveshje me Murselin, i cili i kishte premtuar se do ta nxjerrte nga burgu pas dy vitesh, me pretendimin se është person që ka pushtet.

Plava tha se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe se sot do ta thotë të vërtetën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Atë deklaratë që e kam dhënë ka qenë nën presion të policisë”, tha Plava, duke shtuar se deklaroi sipas marrëveshjes që kishte me Murselin, dhe i ishte thirrë ambulanca dhe ia kishin dhënë një ineksion.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skender Gojani, i akuzuari Plava tha se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe se ka qenë në dijeni për veprën për të cilën sot po akuzohet.

“Asnjëherë nuk më ka tregu kush është personi (që do ta vriste), edhe m’ka thanë veç ki me marrë përgjegjësi ti, kurgjë tjetër. Unë pa u ba dy vjet të nxjerri prej burgu, e di çfarë pushteti kam”, tha Plava.

Sipas tij, Murseli i ka thënë se për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behgjet Pacolli.

“Me fjalë të Naimit qysh m’ka thanë Naimi, m’ka thanë që edhe Behgjet Pacolli për këtë rast ka qenë në dijeni, ti e di çfarë pushteti kemi na, më ka thanë. Nuk ka shansa me nejt në burg ma shumë se dy vjet”, u shpreh Plava.

Ai pretendon se Murseli i ka ofruar punë, pagë 1300 euro, një veturë G-Classs. Tha se kur e ka pyetur se kë do ta vriste, Naimi i kishte thënë se nuk ka nevojë ta dijë vetëm të marrë përgjegjësinë.

Më tutje, Plava thotë se deklaratën në Polici e kishte dhënë ashtu sikurse ishte marrë vesh me Naim Murselin.

Dy të akuzuarit tjerë ai tha se i njeh- Kokallën për shkak se janë nga i njëjti fshat, kurse Murselin e njeh më pak.

I akuzuari thotë se me Naim Murselin është takuar 7-8, dhe se ditën kritike janë takuar pikërisht për këtë marrëveshje.

Sipas tij, të nesërmen e kishte kuptuar që personi që e vrau ka qenë gruaja e Naim Murselit.

“Më vjen keq për atë ditë çka ka ndodh. Gjithmonë ka thënë se është ja serbe ja boshnjake, veç ti ki me marrë përgjegjësinë”, u shpreh ai.

Paraprakisht, Plava tha se është i gjendjes së dobët ekonomike dhe se ka qenë punëtor krahu. Tha se më parë nuk ka qenë i dënuar apo i ndjekur për ndonjë vepër penale. /BetimipërDrejtësi/