Gazetari dhe prezantuesi, Piers Morgan, ka zbuluar se personi më i frikshëm që ka intervistuar ndonjëherë nuk ishte ndonjë figurë e famshme si Kanye West apo Andrew Tate, por një e dënuar për vrasje – Erin Caffey.
Gjatë viteve 2010, Morgan realizoi emisione për krime ku intervistonte vrasës në burgje.
Në një prej tyre, ai u takua me Erin Caffey, të cilën e konsideron si personin më të rrezikshëm që ka takuar ndonjëherë.

Caffey ishte vetëm 16 vjeçe kur në vitin 2008 bindi të dashurin e saj dhe mikun e tij që të vrisnin familjen e saj, pasi prindërit nuk e lejonin të takohej me të dashurin.
Ata hynë në shtëpi me armë, vranë nënën dhe dy vëllezërit e saj më të vegjël, ndërsa babai mbijetoi i plagosur.
Morgan tha se gjatë intervistës nuk mundi të kuptonte arsyen e këtij krimi, duke e përshkruar atë si jashtëzakonisht të rrezikshme.
Nga ana tjetër, Erin ka deklaruar se sot nuk e kupton veprimin e saj dhe e konsideron atë si shumë të gabuar, duke theksuar se nuk kishte pasur mungesa apo abuzime në familje.
Ajo u dënua me të paktën 40 vite burg, duke shmangur dënimin me vdekje pasi babai i saj kërkoi falje për të, duke besuar se ajo ishte ndikuar nga i dashuri dhe duke shprehur dëshirën që ajo të pendohet. /Telegrafi/






