Shtatë punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra për moszbatim të hapur të dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale, në lidhje me një rast të kultivimit të bimëve narkotike në dy ambiente të mbyllura në fshatin Kurtaj, Peqin.
Ngjarja, e zbuluar më 19 mars 2026, ka nxitur një hetim të thelluar disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Hetimi synon përcaktimin e përgjegjësive ligjore për strukturat vendore të policisë që kishin për detyrë parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, raportojnë mediat në Shqipëri.

Punonjësit e përfshirë në procedim disiplinor janë:
Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;
Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;
Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;
Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.






