Presidenti i Iranit thotë se ai dhe 14 milionë të tjerë i janë përgjigjur thirrjeve për t’u ofruar vullnetarë për të luftuar nëse ka një pushtim tokësor nga SHBA-të ose Izraeli.
Masoud Pezeshkian shkroi në X: “Mbi 14 milionë iranianë krenarë, deri në këtë moment, kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar jetën e tyre në mbrojtje të Iranit. Edhe unë kam qenë, jam dhe do të jem një sakrifikues për Iranin”.
Media shtetërore dhe fushatat e mesazheve me tekst u kanë bërë thirrje njerëzve të ofrohen vullnetarë për ushtrinë.

Ushtarët në pension janë thirrur gjithashtu nga qeveria për të shprehur interesin e tyre për të luftuar.
Kujtojmë se Irani ka një popullsi prej rreth 90 milionë banorësh.
Ndërkohë, ambasadori iranian në Pakistan ka thënë se përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në fazën ‘kritike’.
Ambasadori i Iranit në Pakistan ka thënë se përpjekjet “pozitive dhe produktive” të Islamabadit për të ndaluar luftën po i afrohen një faze “kritike dhe të ndjeshme”.
Pakistani, i cili ndan një kufi prej 900 kilometrash me Iranin, është në qendër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
Ai thuhet se ka ndarë një propozim për armëpushim me dy faza si me Iranin ashtu edhe me SHBA-në, të cilin Teherani e ka refuzuar.
Marrëveshja përfshinte një armëpushim të menjëhershëm dhe heqjen e bllokadës efektive të Ngushticës së Hormuzit nga Irani, e ndjekur nga bisedime për një zgjidhje më të gjerë paqeje brenda 15 deri në 20 ditësh, sipas një burimi të njohur me planin.
Përgjigja iraniane përbëhej nga 10 klauzola, duke përfshirë “fundin e konflikteve në rajon, një protokoll për kalim të sigurt nëpër ngushticë, heqjen e sanksioneve dhe rindërtimin”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.
Duke folur të hënën, Donald Trump tha se përgjigja e Iranit ishte “e rëndësishme, por jo mjaftueshëm e mirë”. /Telegrafi/





