Peugeot ka prezantuar një motor të ri benzinë me tre cilindra, i cili do të jetë i disponueshëm në muajt në vijim në modelet 208 dhe 2008.
Ky motor së shpejti do të ofrohet edhe në një sërë modeleve të Stellantis, duke zëvendësuar motorin PureTech. Motori i ri do të jetë në përputhje me rregulloret Euro 7.
Ashtu si motori që po zëvendëson, motori i ri ka një kapacitet prej 1,2 litrash dhe tre cilindra, por në Peugeot pretendojnë se kjo është një konstruksion i ri me emetime dhe konsum karburanti të reduktuar.

Elementët e rinj përfshijnë një turbo-kompresor inteligjent me gjeometri të ndryshueshme, i cili do të sigurojë reagim të motorit në rpm të ulëta pa kompromise në performancë.
Gjithashtu, ekziston një sistem i riprojektuar injektimi karburanti me presion të lartë, i cili do të funksionojë sipas ciklit më efikas të djegies Miller. Cikli Miller është një proces që rrit efikasitetin duke mbyllur më herët ose hapur më gjatë valvulat e thithjes, duke arritur kështu një raport më të mirë kompresioni dhe ekspansioni.
Për momentin, Peugeot ka zbuluar vetëm një specifikë për motorin, i cili do të ketë 99 KS në 5500 rpm, me moment maksimal rrotullues prej 205 Nm që nga 1750 rpm.
Peugeot gjithashtu konfirmoi se ky motor i ri do të shënojë fundin e sistemit të padëshiruar ku rripi i kohës ndodhej në një mjedis të zhytur në vaj. Kështu ishte me motorin e mëparshëm, i cili deri në vitin 2021 kishte probleme serioze me këtë zgjidhje konstruktive.
Në vend të tij, është instaluar një zinxhir më i qëndrueshëm i shpërndarjes. Me këtë sistem të ri, Stellantis ka arritur të zgjatë periudhën e mirëmbajtjes çdo dy vjet ose 25 mijë kilometra, krahasuar me intervalet 12-mujore të shërbimit të PureTech. /Telegrafi/





