Më 14 mars, vetëm një ditë para se Ligji për të Huajt të hynte plotësisht në fuqi, Albin Kurti u ul me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, dhe pranoi një kompromis. Rezultati është i qartë: leje qëndrimi 12-mujore për punëtorët shëndetësorë, studentët dhe stafin akademik serb; njohje e letërnjoftimeve serbe si dokument identifikimi; dhe, një afat tremujor për regjistrimin e fakteve civile që deri dje funksiononin në strukturat ilegale serbe, madje me lejim të përdorimit të dokumenteve të atyre strukturave jolegale.
Kurti e quajti këtë “koordinim për të mos ndërprerë shërbimet”. BE-ja e quajti “momentum të ri për dialog”. Beogradi e quajti “lajm të mirë”. Por, për ta thënë thjesht: ky është pranim në praktikë i dokumenteve dhe strukturave që deri dje konsideroheshin ilegale. Me fjalë të tjera, ajo që për vite u paraqit si e shkatërruar, tani po legalizohet gradualisht.
Doli pastaj që për dy muaj të tërë qeveria ka negociuar për këto lëshime. Pa raport në Kuvend. Pa seancë informuese. Pa asnjë sqarim publik. Pa raportim dhe transparencë kanë ka kaluar gjithashtu edhe Besnik Bislimi për takimet e tij me Petkoviqin.

Dhe, kjo ndodh në një moment kur Kuvendi praktikisht nuk funksionon. Prej rreth 18 muajsh vendi kalon nga një krizë institucionale në tjetrën, nga dështimi i seancës për zgjedhjen e presidentit më 5 mars 2026, që e shtyu vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme për herë të tretë në pak kohë, deri te bllokadat dhe “pushimet” e deputetëve. Institucioni që duhet ta kontrollojë qeverinë është paralizuar dhe kur nuk ka kontroll institucional, vendimet merren pa pengesa.
Por, edhe opozita ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Kur Kuvendi nuk funksionon, ekzistojnë mjete të tjera: media, rrugë, protesta, aktivitete publike, rrjete sociale për të hapur sytë e këtij populli që duhet të kuptojë çfarë po ndodh. Por, asgjë nuk po ndodh. Nuk ka presion real politik, nuk ka përpjekje serioze për të detyruar qeverinë të japë llogari.
Ndërkohë, kompromisi i 14 marsit nuk është thjesht një “lehtësi administrative”. Është një hap konkret që i hap rrugë zbatimit të Asociacionit të Komunave Serbe duke futur gradualisht strukturat ilegale në sistemin kosovar nën maskën e “integrimit”. Krijon një trajtim të veçantë për serbët në Kosovë që shqiptarët e Luginës nuk e kanë dhe legalizon një realitet që sipas deklaratave të qeverisë duhej të ishte zhdukur.
Popullit i thuhet se nuk ka arsye për shqetësim. Por, sovraniteti nuk humbet brenda natës. Humbet ngadalë, hap pas hapi, kompromis pas kompromisi. Dhe, ndërsa Kuvendi vazhdon të jetë në pushim, vendime që prekin drejtpërdrejt shtetin po merren në heshtje.
Pesë vjet me radhë na është thënë se në Veri po shkatërrohen strukturat dhe bandat. Sot po pranohet përdorimi i dokumenteve të tyre. Dhe, kjo e bën pyetjen të pashmangshme: nëse ato struktura vërtet janë shkatërruar, pse sot duhet të legalizohen dokumentet e tyre? Sepse e vërteta është më e thjeshtë se propaganda. Veriu u përdor për vite si betejë politike, si spektakël për publikun dhe si justifikim për çdo krizë. Por, kur erdhi momenti i parë serioz i kompromisit, ajo “luftë” përfundoi me një vendim që në praktikë i jep legjitimitet pikërisht atyre strukturave për të cilat na është thënë se nuk ekzistojnë më.
Dhe, kështu mbyllet paradoksi i kësaj qeverisjeje: pesë vjet retorikë për shkatërrimin e strukturave në Veri dhe një kompromis që i kthen ato nga propaganda në realitet institucional.





