Përzgjedhësi i Zvicrës lavdëron Granit Xhakën: Ai është një luftëtar

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur për rëndësinë e madhe që ka kapiteni Granit Xhaka në ekipin kombëtar, duke e cilësuar atë si një “luftëtar të vërtetë”. Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, Yakin nuk i kurseu lëvdatat për me...

Sport

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur për rëndësinë e madhe që ka kapiteni Granit Xhaka në ekipin kombëtar, duke e cilësuar atë si një “luftëtar të vërtetë”.

Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, Yakin nuk i kurseu lëvdatat për mesfushorin 33-vjeçar, i cili së fundi është rikthyer nga një lëndim.

Pavarësisht kësaj, Xhaka ka vendosur t’i bashkohet Zvicrës për ndeshjet miqësore kundër Gjermanisë më 27 mars dhe Norvegjisë më 31 mars.

“Jam në kontakt shumë të ngushtë me Granitin, edhe për dëmtimin e tij. Ai është një luftëtar. Në Kampionatin Evropian në Gjermani, ai luajti një ndeshje të tërë, pavarësisht një dëmtimi. Ne kemi nevojë për të dhe jam i lumtur që ai mund të kthehet në kohë”, ka deklaruar Yakin.

Ai shtoi se stafi teknik do të jetë i kujdesshëm me minutazhin e Xhakës gjatë këtyre ndeshjeve.

“Ende duhet të diskutojmë se sa gjatë do të luajë. Kemi mundësinë të zëvendësojmë të gjithë lojtarët. Kjo na lejon të menaxhojmë ngarkesën e punës në mënyrë efektive gjatë kësaj periudhe kritike”, është shprehur ai.

Xhaka mban rekordin për më së shumti paraqitje me përfaqësuesen zvicerane, me 143 ndeshje dhe 16 gola të shënuar.

Ndërkohë, për ndeshjet e këtij muaji është ftuar edhe mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, i cili për herë të fundit luajti për Zvicrën në miqësoren e 11 qershorit të vitit të kaluar kundër SHBA-së.

Yakin bëri të ditur gjithashtu se në listën rezervë gjendet sulmuesi Kastriot Imeri.

“Kastriot Imeri është në listën e lojtarëve rezervë. Ai ka demonstruar cilësitë e tij. Ai sigurisht që mund të jetë një opsion për ne”, ka thënë Yakin.

Po ashtu, një alternativë në fazën e sulmit mbetet edhe sulmuesi i Widzew Lodzit, Andi Zeqiri. /Telegrafi/