Përzgjedhësi i Kombëtares së Polonisë, Jan Urban, pritet që listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen gjysmëfinale të playoffit ndaj Shqipërisë ta publikojë të premten.
Në një intervistë të gjatë për Goal.pl të enjten, Urban ka komentuar edhe për përfaqësuesen shqiptare, duke vlerësuar cilësinë e skuadrës dhe punën e përzgjedhësit brazilian Sylvinho.
“E kemi analizuar Shqipërinë dhe kemi njohuri të shumta për futbollistët e saj. Duhet theksuar se bëhet fjalë për një ekip shumë të mirë dhe me stabilitet”.

“Përzgjedhësi Sylvinho është në krye të skuadrës tash e tri vite. Për më tepër, ata kanë arritur të fitojnë një grup kualifikues ndaj Polonisë dhe Republikës së Çekisë, si dhe kanë regjistruar një fitore në udhëtim ndaj Serbisë 1:0”, deklaroi Urban.
Ai ka folur edhe për stilin e lojës së Shqipërisë, duke e përshkruar si të organizuar dhe të disiplinuar në aspektin defensiv.
“Shqipëria ka futbollistë cilësorë që aktivizohen në ekipe të mira. Ata luajnë me një model të ngjashëm me futbollin italian. Mbrohen mirë dhe pësojnë pak gola. Ndoshta nuk shënojnë shumë, pasi janë të përkushtuar në aspektin mbrojtës. Na pret një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Nuk mund ta nënvlerësojmë kundërshtarin apo të mendojmë se fitorja është e sigurt. Do të jetë një përballje shumë e fortë”, u shpreh përzgjedhësi i Polonisë.
Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 26 mars, nga ora 20:45, në Varshavë.
Fituesja e këtij dueli do të përballet me fituesin e ndeshjes Ukraina – Suedia, ndërsa finalja e playoffit luhet më 31 mars. /Telegrafi/





