Përplasje mes gjyqtarëve për “Safe City”, Kostadinovski: SMS-porositë të dërgohen vetëm në maqedonisht

Gjykata Kushtetuese me shumicë votash hodhi poshtë tërësisht iniciativat e Aleancës për Shqiptarët së Ziadin Selës dhe Arben Taravarit, por edhe të Ylli Paçukut nga BDI, të cilët kontestonin sistemin “Safe City” në disa segmente, sidomos për përfshirjen e tij vetëm në tre qytete, por edhe detyrimin që qytetarët të posedojnë celular dhe email. Gjyqtarët shqiptarë ishin kundër, ndërsa ngritën çështjen e dërgimit të sms-porosive nga “Safe City” vetëm në gjuhën maqedonase.

“Në dispozitat kontestuese, fare nuk është rregulluar se në çfarë gjuhe kryhet komunikimi dhe të parashikohet obligimi që ajo të kryhet në gjuhët zyrtare, sipas regjimit kushtetues, gjegjësisht amendamentit kushtetues 5,” deklaroi Naser Ajdari, Gjykatës Kushtetues.

“Në rastin konkret, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare edhe në procedurën për këto kundërvajtje dhe Ligjin për Kundërvajtje, mungon,”tha Osman Kadriu, Gjykatës Kushtetues.

Por për kryetarin e Gjykatës Darko Kostadinovski, kjo fare nuk është problem. Madje siç thotë ai, më e logjikshme do të ishte që sms-porositë të dërgohen vetëm në maqedonisht dhe anglisht.

“Nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti. Sipas ligjeve tona njohja e gjuhës maqedonase është edhe e drejtë edhe e detyrueshme për çdo qytetar. Pra jo rastësisht është vendosur si detyrim. Edhe në maqedonisht edhe në gjuhë angleze. Pse në gjuhë angleze? Sepse një i huaj mund të bëjë shkelje,” tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës.
Qasjen e Kostadinovskit, gjyqtari Fatmir Skender e quajti absurde.

“Cila do të ishte logjika që ne ta respektojmë të huajin, që për neve është punë shumë e mirë, në gjuhë angleze, ndërsa shteti dhe ligjvënësi ynë nuk dëshiron ta respektojë qytetarin e vet në shtet, për mua kjo është absurde,” tha Fatmir Skender, Gjykatës Kushtetues.

Për dërgimin e porosive në shqip, gjyqtarja raportuese Ana Pavllovska Daneva e hodhi topin te Ministria e Punëve të Brendshme pasi siç tha ajo, ligji nuk e ndalon. Për sistemin “Safe City”, gjithashtu është dorëzuar edhe një nismë e cila ka të bëjë me ndryshimet e Kodit Penal për konfiskimin e makinave. Lënda pritet të vendoset në rend dite në ndonjërën prej seancave të radhës./Alsat/