​Përplasja Kurti-Osmani solli zhgënjim te qytetarët, analistët flasin për tensione mes tyre

Vendimi i kryeministrit, njëherësh liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të mos e mbështetur për një mandat tjetër presidencial Vjosa Osmani, po vlerësohet nga analistët politikë si shenjë e tensioneve të thelluara mes dy figurave kryeso...

Nacionale

Vendimi i kryeministrit, njëherësh liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të mos e mbështetur për një mandat tjetër presidencial Vjosa Osmani, po vlerësohet nga analistët politikë si shenjë e tensioneve të thelluara mes dy figurave kryesore të pushtetit në vend.

Sipas tyre, qasjet e ndryshme në politikën e jashtme është ndër arsyet kryesore që kanë çuar në këtë situatë.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress, se çarja politike mes Kurtit dhe Osmanit ka sjellë zhgënjim në opinionin publik, pasi sipas tij, ardhja e tyre në pushtet ishte shoqëruar me pritje të mëdha për ndryshime në politikën kosovare.

Sipas Muhaxhirit, fillimisht dy liderët kishin krijuar shpresa për një kapitull të ri politik në Kosovë, me reforma dhe ndryshim të qasjes në qeverisje, mirëpo kjo marrëveshje nuk zgjati shumë.

Ai shton se zhvillimet e fundit po reflektojnë një kthim në praktikat e zakonshme të politikës në rajon, të cilat sipas tij, mund të sjellin përfitime afatshkurtra politike, por dëme afatgjata për vlerat dhe kulturën politike.

“Çarja politike mes binomit Kurti–Osmani ka sjellë një zhgënjim të madh në opinionin publik, tek elektorati, sepse ardhja e tyre në pushtet ka qenë me premtime të mëdha dhe ka zgjuar shpresa të jashtëzakonshme se do ta krijojnë një kapitull të ri politik në Kosovë dhe këta dy liderë do të jenë prijëtarë edhe të ndryshimeve të mëdha, të reformave politike, edhe në mendësinë politike, edhe në mënyrën e të konceptuarit të politikës në Kosovë. Por, për fat të keq nuk zgjati shumë kjo marrëveshje dhe tash u kthyen në politika tipike ballkanike, të cilat janë për dobi afatshkurte dhe për dëme afatgjata në aspektin e vlerave, normave dhe të kulturës politike”, thotë ai.

Në anën tjetër, analisti politik Adrian Zeqiri vlerëson se përplasja mes Osmanit dhe Kurtit është thelluar veçanërisht gjatë dy viteve të fundit.

Sipas tij, një nga arsyet kryesore lidhet me qasjen ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ku ai thotë se Kurti ka qenë i izoluar nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zeqiri thekson se Osmani, në anën tjetër, është përpjekur të ruajë raportet strategjike të Kosovës me këta partnerë, duke pasur një rol më të theksuar në diplomacinë e jashtme.

Sipas tij, pikërisht qasja ndaj bashkëpunimit me aleatët strategjikë të Kosovës mbetet një nga pikat kryesore të dallimeve mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

“Thyerja kryesore mes zonjës Osmani dhe zotëri Kurtit ka ndodhur në dy vitet e fundit ku zotëri Kurti ka qenë komplet i izoluar prej bashkësisë ndërkombëtare edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Zonja Osmani është munduar që t’i ruaj disa raporte jetike për Kosovën me BE-në dhe sidomos kohën e fundit me SHBA-në. Mendoj se Kurtin e ka penguar prezenca e madhe në diplomacinë e jashtme e zonjës Osmani dhe se ajo e ka ruajtur gjuhën nëse mund ta quaj rugoviste me bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. Mendoj se thyerja kryesore ka qenë tek bashkëpunimi me partnerët strategjikë të Kosovës”, thekson ai.

Raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani kanë kaluar nga një bashkëpunim i afërt politik në shenja të dukshme ftohjeje gjatë viteve të fundit. Të dy erdhën në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje siguroi fitore të thellë dhe Osmani, e mbështetur nga kjo parti, u zgjodh presidente nga Kuvendi i Kosovës.

Megjithatë, përkundër ambicieve për një mandat të dytë për presidente, Osmani nuk gjeti mbështetje nga Kurti./kp/