Në 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, u nderuan dëshmorët që u vranë për liri, Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, me homazhe e manifestim përkujtimor në kompleksin memorial në Gllogjan.
Beteja u tha se ishte e veçantë për historinë e popullit, një nga qasjet më të rëndësishme të luftës çlirimtare, të historisë së armatosur të rezistencës shqiptare në Kosovë.
Gjenerali i zonës operative të Dukagjinit, njëkohësisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tregoi se si çdo ditë planifikonin se si do të përballen me Serbinë, porse ajo veproi e para me përballjen në Prekaz pas Masakrës së Reçakut.

Haradinaj, përmendi edhe bombardimet e NATO-s, duke theksuar se nuk do të harrojë kurrë gëzimin në fytyrat e shqiptarëve.
“Kishte kaluar një kohë e gjatë në përpjekje tona me mbërri te një organizim që një ditë të përballemi ballë për ballë me Serbinë, këto përpjekje nuk shkuan me sukses, ishte janari i dhimbshëm i Zahir Pajazitit, Hakifit, Edmondit, maji i 97-ës i Luanit, vrasja Ardian Krasniqit. Nuk kishte shkuar aq mirë lufta jonë. Pas disa përpjekjeve në Prekaz, pas Reçakut ndodhi përballja në Prekaz, përballje e cila është vërtetë unike dhe nuk ka tjetër nuk krahasohet asgjë me këtë përballje… Ishte rëndë për Gllogjanin se si do të shkonte përballja e radhës, Serbia e dinte kush jemi. Po të shkonte kjo përballje në dëm të UÇK-së, nuk ishte vetëm çka ndodhi me ne, por çka ndodhi me shqiptarët, si do shkoj më tutje kjo luftë. Epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve. Edhe pse tre nga ne u vranë, mirëpo rezultoi se shqiptarët e fituan këtë luftë.. Nuk e harroj kurrë në jetë 24 marsin 99, fytyrat e bashkëluftëtarëve të mi, shqiptarëve që dilnin nga grykat që nuk e dija se rrinin ende aty, që thonin se paska Zot edhe për shqiptarë, ndërhyrja e Amerikës ka bërë që me përfundua lufta jonë dhe ne me qenë të çliruar”, u shpreh Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini theksoi se heronj nuk janë vetëm ata që kanë dhënë jetën për liri, por edhe ata të gjallët që ndihmuan për këtë ditë, duke futur në theks të veçantë NATO-n.
“Heronjtë dhe dëshmorët tonë, ata kanë treguar është matur pastër dashuria për vendin, për secilin njeri e fëmijë që sot jeton. Historia jonë që flasim për çdo përvjetor nuk duhet të jetë vetëm krenari dhe lavde, por edhe mësim, por jo i përsëritur, historia nuk na mëson si mësohet matematika, historia duhet ta mësojë esencën e ekzistencës sonë si komb sot këtu, fëmijët tonë e ata që do të vijnë.. Duhet të mësojmë edhe një gjë, se heronjtë nuk janë vetëm ata që kanë ra, ata po se po, por popujt kanë heronj që janë gjallë, heroizmi nuk nënkupton vetëm nëse janë vra. Mos harroni që heronjtë tonë të gjallë nuk janë vetëm njerëzit tonë, kanë qenë edhe ata që kanë fluturuar në qiell se i kanë bombarduar armiqtë tanë, që kanë mbajtur flamurin amerikan, por edhe britanik, gjermani e francez. Heronj janë njerëzit që nuk janë fshehur, nuk kanë ikur, ata kanë vendosur vetë me i krye punët e kombit”, tha Gjini.
Ndërkohë, Gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, Kudusi Lame e vlerësoi përballjen në Gllogjan me Serbinë si një nga qasjet më të rëndësishme të luftës çlirimtare, që sipas tij shënoi një kthesë të rëndësishme në rrjedhën e luftës së UÇK-së.
“Një nga qasjet më të rëndësishme të luftës sonë çlirimtare, të historisë së armatosur të rezistencës shqiptare në Kosovë, përballjen e lavdishme në Gllogjan me 24 mars, një përballje që nuk ishte e thjeshtë, një betejë ushtarake, një pronë e madhe e karakterit, guximit, vendosmërisë së popullit shqiptarë për liri. Një ngjarje që shënoi një kthesë të rëndësishme, në rrjedhjen e luftës çlirimtare. Kujtojmë sot, një betejë që në historinë zë vend të veçantë, një moment kur përballë një makinerie të fuqishme ushtarake qëndroi një grup luftëtarësh të vendosur të cilët nuk kishin as epërsinë numerike, as në armatim, por diçka më të madhe besimin në drejtësinë e kauzës së tyre dhe vendosmërinë për të mos u nënshtruar. Kjo është një ditë reflektimi për historinë tonë”, tha Lame.
E, me mirënjohje për meritat e jashtëzakonshme me këtë rast u nderuan edhe gjenerali Kudusi Lame, edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sot bëhen 28 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet “Epopeja e Dukagjinit” e zhvilluar me 24 mars 1998.
Në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin. Caku besohej të ishte shtëpia e familjes Haradinaj. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj. /KP/





