Peng vetëm disa detaje, Juventusi gjen “gjuhën e përbashkët” me Luciano Spallettin

Luciano Spalletti është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Juventusin, sipas ekspertit të transferimeve Niccolo Ceccarini. Pushimi i ardhshëm i kombëtareve pritet të shfrytëzohet nga klubi për të finalizuar planet strategjike, ku në agjendë j...

Sport

Luciano Spalletti është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Juventusin, sipas ekspertit të transferimeve Niccolo Ceccarini.

Pushimi i ardhshëm i kombëtareve pritet të shfrytëzohet nga klubi për të finalizuar planet strategjike, ku në agjendë janë si lëvizjet në merkato ashtu edhe e ardhmja e trajnerit.

Një marrëveshje e përgjithshme tashmë është arritur me ish-trajnerin e Italisë për kohëzgjatjen e kontratës, e cila pritet të jetë dyvjeçare.

Diskutimet e mbetura kanë të bëjnë me strukturën e marrëveshjes – nëse do të jetë kontratë e drejtpërdrejtë dyvjeçare apo një marrëveshje njëvjeçare me opsion për një sezon të dytë.

Këto detaje të fundit nuk vënë në dyshim të ardhmen e Spallettit te Juventusi. Sipas kushteve të reja, trajneri pritet të fitojë rreth 6 milionë euro në sezon.

Ndërkohë, Juventusi po synon që këtë edicion të renditet në top katër për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm 2026/27./Telegrafi/