Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” sot do të largohet nga sheshi “Nënë Tereza”.
Largimi i ekspozitës bëhet në ora 10:00, pas reagimeve të shumta që ngjalli kjo ekspozitë
“Ju njoftojmë se sot, me datë 28.03.2026, duke filluar nga ora 10:00, ekipet e Kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999 në sheshin ‘Nënë Tereza’”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.
Ndryshe, lidhur me këtë ekspozitë pati reagime të shumta.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj ekspozimit të materialeve në sheshin e Prishtinës, duke e cilësuar të papranueshme paraqitjen e pasaktë të krimeve të luftës në Kosovë.
Sipas tij, në kuadër të ekspozitës për luftën 1998/99 janë evidentuar raste ku faktet janë shtrembëruar, duke rrezikuar të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.
Hoti ka përmendur veçanërisht Masakrën e Krushës së Madhe, ku sipas tij është paraqitur gabimisht se gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen, ndërkohë që në këtë masakër janë vrarë edhe gra, përfshirë shtatzëna. /Telegrafi/





