Parandohet kultivimi i bimëve narkotikëve, arrestohen tre persona në Malësi të Madhe

Policia e Shtetit ka kryer kontrolle intensive në territor për parandalimin dhe goditjen që në fazën përgatitore të tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Sipas një njoftimi thuhet se janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm filizash të dyshu...

Nacionale
Reklame

Policia e Shtetit ka kryer kontrolle intensive në territor për parandalimin dhe goditjen që në fazën përgatitore të tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas një njoftimi thuhet se janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabis, të kultivuar në platforma polistiroli.

Tutje në njoftim thuhet se janë arrestuar tre shtetas si dhe janë procedohen penalisht dy të tjerë dhe një shpallet në kërkim.

“Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatrat Bajzë dhe Gruemirë Çezmë disa persona po kishin mbjellë fara kanabisi në platforma polistiroli, shërbimet e specializuara në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe, të mbështetura nga Forcat e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Faza e parë’ “.

Po ashtu në njoftim thuhet se si rezultat i operacionit, në fshatin Bajzë, u evidentuan një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabisi, të kultivuar në platforma polistiroli, me qëllim kultivimin e tyre në tokë.

“Platformat me filiza u shkatërruan gjatë operacionit, ndërkohë që një pjesë e tyre u sekuestrua nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale. Si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale u arrestuan shtetasit: E. Q., 29 vjeç, B. Q., 23 vjeçe dhe A. Q., 26 vjeçe (familjarë), të tre banues në fshatin Bajzë. Po në vijim të operacionit, në fshatin Gruemirë Çezmë, në një magazinë u konstatuan edhe disa platforma të tjera polistiroli, në të cilat ishin kultivuar filiza dhe fara narkotike të dyshuara kanabisi”.

Gjithashtu në njoftim thuhet se për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi B. R., 52 vjeç, banues në fshatin Gruemirë Çezmë, dhe nisi procedimi penal për shtetaset E. R., 41 vjeçe, dhe Z. R., 75 vjeçe, banuese në këtë fshat.

“Vijon puna për kapjen e shtetasit B. R., si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/