Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me situatën e sigurisë në Shqipëri në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare.
Për Euronews Albania, Ambasada thekson se siguria dhe mbrojtja e qytetarëve amerikanë mbetet prioritet kryesor.
“Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë sesa siguria dhe mbrojtja e qytetarëve amerikanë. Ne po punojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e SHBA vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë për çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka treguar një përkushtim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të Shqipërisë. Do të ofrojmë më shumë informacion sapo ai të bëhet i disponueshëm,” thuhet në reagim.

Seksioni i Marrëdhënieve me Publikun i Ambasadës Amerikanë në Tiranë thekson se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është kyç për të menaxhuar çdo rrezik dhe për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, lidhur me paralajmërimin që Ambasada e SHBA-së kishte dërguar disa ditë më parë për të informuar qytetarët mbi masat e sigurisë dhe rreziqet e mundshme nga Irani.
Në deklaratën e tij të plotë, Ministri Nufi thekson:
“Njoftimi i Ambasadës së SHBA-së është një njoftim në kuadër të praktikave standarde, i shpërndarë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera, dhe nuk duhet interpretuar si arsye për panik. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë që ne nuk po e trajtojmë me seriozitetin maksimal”. “Institucionet tona të sigurisë janë në ndjekje të vazhdueshme të çdo informacioni, ndërsa shërbimet operative dhe inteligjente bashkëpunojnë çdo ditë për identifikimin dhe neutralizimin e çdo rreziku potencial, në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë. Shqipëria mbetet në komunikim të përhershëm me qeverinë e SHBA-së dhe me strukturat partnere për çdo zhvillim që lidhet me sigurinë”.
“Dua të theksoj se nuk ka vend për alarm, por ka vend për vigjilencë, profesionalizëm dhe bashkërendim institucional. Sistemi ynë i sigurisë është i angazhuar plotësisht për garantimin e rendit dhe mbrojtjen e qytetarëve në çdo hapësirë publike. Shqipëria është e sigurt, edhe falë faktit që është pjesë e Aleancës më të madhe të sigurisë në botë, NATO, dhe ne do të vijojmë të bëjmë çdo gjë të nevojshme për të garantuar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka deklaruar tutje Nufi./Euronews Albania





