Një pankartë me pamjen e raketave që fluturojnë drejt ndërtesës së konsullatës holandeze është vendosur në fasadën e saj në Moskë, në një tjetër shenjë të tensioneve mes Rusisë dhe Holandës për shkak të luftës në Ukrainë.
Ky veprim vjen pasi kompania holandeze e industrisë së mbrojtjes Destinus njoftoi se raketat dhe dronët e saj Ruta ishin përdorur nga forcat ukrainase në sulmin e 17 nëntorit ndaj Urës së Krimesë.
Sipas raportimeve, sulmi shkaktoi shkatërrimin e një harku dhe të një pjese të strukturës rrugore të urës, e cila lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, shkruan reuters.
Deklarata e kompanisë shkaktoi reagimin e Moskës. Ministria e Jashtme ruse e cilësoi atë si “vetëinkriminim”, ndërsa ambasada ruse në Holandë kërkoi shpjegime nga autoritetet në Hagë.
Megjithatë, Holanda ka një sërë çështjesh për të cilat kërkon përgjegjësi nga Rusia, veçanërisht lidhur me pushtimin e Ukrainës.
Mes tyre janë akuzat për krime lufte dhe urdhërarresti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara.
I njëjti urdhërarrest është lëshuar edhe ndaj Maria Lvova-Belovas, komisioneres ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se ka luajtur rol në transferimin e paligjshëm të tyre.
Moska dhe Haga vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara, ndërsa zhvillimet e fundit rreth përdorimit të armëve holandeze nga Ukraina kanë shtuar përplasjet diplomatike mes dy vendeve. /Telegrafi/






