Osmani flet për të ardhmen e saj pas përfundimit të mandatit: A do të rikthehet në LDK?

Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për të ardhmen e saj pas datës 4 prill, kur përfundon mandati i saj si presidente, duke mos konfirmuar e as mohuar një rikthim në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Gjatë një interviste për Syri TV, Osmani theksoi se vendimet e saj do të bazohen mbi interesin e qytetarëve të Kosovës dhe mbi zhvillimet aktuale në vend. Ajo u shpreh:

“Do të bëjë atë që është në interes të qytetarëve të Kosovës. E keni si opsion rikthimin në LDK? Do ta shoh se cili do të jetë interesi më i madh i Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme. Siç e përmenda gjatë intervistës, erdhi vendimi për masë të përkohshme që jep pak kohë për t’u sqaruar gjërat, dhe përfundimisht gjykata do ta marrë vendimin e vet. Unë do të kryej detyrën time me nder si presidente deri më 4 prill. Pas kësaj do të bëj një vlerësim të ri konkret në interes të Kosovës dhe do ta marr vendimin për rrugën përpara.”

Presidentja gjithashtu komentoi dekretin e saj, i cili është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se askush nuk është i pagabueshëm dhe se ekzistenca e këtij institucioni siguron një proces të drejtë ligjor.

Osmani ka theksuar vazhdimisht se gjatë mandatit të saj ka vepruar sipas ligjit dhe interesit të qytetarëve dhe se çdo vendim që lidhet me të ardhmen e saj politike do të merret në bazë të zhvillimeve konkrete dhe interesit të përgjithshëm të vendit.