Orav: Masat ndaj Kosovës janë kapitull i mbyllur – BE gati për hapa të rinj

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës tashmë i takojnë së kaluarës, duke theksuar se Brukseli është i gatshëm të angazhohet në fazë të re bashkëpunimi me institucionet e vendit. “Masat k...

Nacionale

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës tashmë i takojnë së kaluarës, duke theksuar se Brukseli është i gatshëm të angazhohet në fazë të re bashkëpunimi me institucionet e vendit.

“Masat kanë mbetur prapa nesh tani dhe duhet të fillojmë të ecim përpara”, ka thënë Orav, duke shtuar se BE-ja është e gatshme të nisë programe dhe projekte të reja me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ambasaadori Orav këto komente i ka bërë gjatë një takimi me një grup gazetarësh nga mediat në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në vend kanë krijuar një situatë më të favorshme për avancim, duke përmendur stabilizimin e situatës në veri dhe transferimin e pushtetit në komunat me shumicë serbe.

“Problemet që kanë ekzistuar atëherë tani janë zhdukur… kjo na ka mundësuar të ecim përpara”, theksoi ai.

Ambasadori i BE-së ka theksuar se procesi i integrimit evropian për Kosovën është i lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Dialogu është fjalë kyçe… procesi i normalizimit duhet të zhvillohet dhe kjo është e mundur”, u shpreh Orav shkruan Telegrafi.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen e 14 marsit si një zhvillim të rëndësishëm që dëshmon se kompromiset janë të mundshme dhe se palët mund të ecin përpara.

“Kjo është një arritje e madhe dhe tregon se është e mundur të ecet përpara edhe në dialog”, tha ai.

Orav ka bërë të ditur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk ka avancuar për shkak të masave të mëparshme, por tani pret dinamika të reja.

“Kur mund të themi se këto masa janë prapa nesh, shpresojmë se do ketë edhe dinamika të reja”, deklaroi ai.

Megjithatë, ai ka theksuar se progresi varet edhe nga zhvillimet e brendshme politike në vend.

“Kosova duhet të bëjë më të mirën për të zgjidhur çështjet e brendshme sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Orav.

Vlerësim për zgjedhjet dhe demokracinë

Ambasadori evropian ka vlerësuar organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, duke theksuar se ato janë zhvilluar pa probleme të mëdha.

“Kosova tani ka pjekuri që të mbajë zgjedhje… nuk ka pasur probleme të mëdha në organizim”, u shpreh ai.

Në përmbyllje të mandatit të tij, Orav ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në rrugën drejt integrimit.

“Ne duam që Kosova të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian dhe puna jonë është të heqim pengesat”, tha ai/Telegrafi.