OpenAI bën thirrje për reforma mes rritjes së shpejtë të Inteligjencës Artificiale

OpenAI bëri thirrje për reforma të gjera për të adresuar rritjen e shpejtë të Al, duke përfshirë krijimin e një fondi publik pasurie, taksa mbi punën e automatizuar dhe mundësinë e një jave pune katërditore. “Po fillojmë një tranzicion drejt superinteligjencës: sisteme të Al të afta të tejkalojnë njerëzit më të zgjuar edhe kur ata […]

Teknologji

OpenAI bëri thirrje për reforma të gjera për të adresuar rritjen e shpejtë të Al, duke përfshirë krijimin e një fondi publik pasurie, taksa mbi punën e automatizuar dhe mundësinë e një jave pune katërditore.

“Po fillojmë një tranzicion drejt superinteligjencës: sisteme të Al të afta të tejkalojnë njerëzit më të zgjuar edhe kur ata ndihmohen nga AI. Askush nuk e di saktësisht se si do të zhvillohet ky tranzicion. Në OpenAI, besojmë se duhet ta menaxhojmë këtë përmes një procesi demokratik që u jep njerëzve fuqi reale për të formësuar të ardhmen e Al që ata dëshirojnë”, tha kompania amerikane.

Sipas kompanisë, dokumenti i politikave paraqet një sërë “idesh fillestare” që synojnë të adresojnë rrezikun e humbjes së vendeve të punës dhe ndërprerjeve të gjera në industri, të nxitura nga përdorimi i veglave të Al.

Ndër propozimet kryesore është krijimi i një fondi publik pasurie, sipas të cilit qeveritë dhe kompanitë e Al do të investonin së bashku në asete afatgjata të lidhura me zhvillimin e AI, me fitimet që do t’u shpërndaheshin drejtpërdrejt qytetarëve, sipas Business Insider.

Një propozim tjetër u kërkon qeverive të inkurajojnë dhe të stimulojnë punëdhënësit që të testojnë javën e punës katërditore pa ulur pagat si dhe të ofrojnë “bonuse për përfitime” të lidhura me rritjen e produktivitetit nga veglat e reja të AI.

Dokumenti gjithashtu kërkon reforma tatimore, duke përfshirë zhvendosjen e bazës së taksave drejt të ardhurave të korporatave dhe fitimeve kapitale, si dhe vendosjen e taksave mbi punën e automatizuar për të kompensuar humbjet e mundshme të vendeve të punës nga AI.

OpenAI gjithashtu bëri thirrje për zgjerim më të shpejtë të rrjetit elektrik në SHBA për të përballuar rritjen e kërkesës për energji të nxitur nga zgjerimi i qendrave të të dhënave dhe sistemet gjithnjë e më të fuqishme të Al. /AA/