Nxënësit e Prishtinës nisin iniciativë për të luftuar bullizmin

Një grup i të rinjve nga Gjimnazi i Specializuar Matematikor ka nisur një iniciativë për të adresuar një nga problemet më të ndjeshme në mesin e adoleshentëve – bullizmin dhe dhunën. “Crimson Perspective”, e themeluar nën drejtimin e drejtoreshës Fah...

Nacionale

Një grup i të rinjve nga Gjimnazi i Specializuar Matematikor ka nisur një iniciativë për të adresuar një nga problemet më të ndjeshme në mesin e adoleshentëve – bullizmin dhe dhunën.

“Crimson Perspective”, e themeluar nën drejtimin e drejtoreshës Fahrije Latifi Retkoceri dhe në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës, synon të krijojë një mjedis më të sigurt dhe më të respektueshëm për të rinjtë.

Kjo iniciativë fokusohet në ndërgjegjësimin e nxënësve për pasojat e bullizmit, si në shkolla ashtu edhe në hapësirat online dhe në komunitet.

Përmes ligjëratave dhe punëtorive të organizuara në institucione arsimore, përfshirë SHFMU “Selman Riza” dhe SHFMU “Mehmet Gjevori”, grupi synon të promovojë empatinë, mirëkuptimin dhe reagimin aktiv ndaj dhunës.

Përveç aktiviteteve në terren, “Crimson Perspective” ka ndërtuar edhe një prani të konsiderueshme në rrjetet sociale, ku postimet dhe fushatat e tyre kanë arritur mbi 50 mijë shikime, duke zgjeruar ndikimin e mesazhit të tyre tek të rinjtë.

Ekipi përbëhet nga gjashtë anëtarë: Art Gjyrevci, Amelia Abdullahu, Verena Gahsi, Liza Krasniqi, Anila Shabani dhe Bled Hoxha. Nismën e udhëheq Art Gjyrevci, i cili koordinon aktivitetet dhe komunikimin publik të grupit.

Me moton “Një hero është ai që refuzon të pëshpërisë kur bota ka nevojë për një britmë”, “Crimson Perspective” synon të fuqizojë të rinjtë që të zgjedhin respektin mbi frikën, mirësinë mbi egërsinë dhe bashkimin mbi ndarjen.