Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
PDK lëshoi seancën pasi draft-rezoluta e propozuar nga ata nuk u trajtua si pikë e parë e rendit të ditës.
Tutje, Lëvizja Vetëvendosja ka kërkuar që teksti të harmonizohet edhe me propozimet e tyre, por me këtë nuk u pajtua PDK pasi sipas tyre LVV nga e mërkura ka pasur kohë ta analizojë.

Në këtë rrethanë, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se e tërheqin propozimin dhe do të largohen nga seanca e sotme plenare.
“Në rast se nuk kalon si pikë e parë e rendit, ne e tërheqim propozimin dhe largohemi… në situatë të tillë, kur ka mungesë të vullnetit politik për të bërë kompromis për një çështje kaq të ndjeshme në të njëjtën ditë kur ne si opozitë iu votuam hyrjen në rend të ditës të marrëveshjeve ndërkombëtare, është e pakuptimtë për ne që të hedhim në votim propozimin tonë dhe ne do të largohemi nga salla dhe në emër të sallës do të qëndrojë vetëm deputeti Nait Hasani”, tha ajo.
Përkundër konsultimeve lidhur me këtë çështje nuk u arrit kompromis.
Sallën e kanë lëshuar edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. /Telegrafi/






