Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Turqinë në ndeshjen e fundit të ‘play-off’-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Përpara kësaj ndeshjeje vendimtare, sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, dha një intervistë ekskluzive për mediat turke.
Sulmuesi i Kosovës ka dhënë intervistë për HT Spor me deklarata të gjata dhe plot emocione pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, duke theksuar karakterin dhe shpirtin luftarak të ekipit.
Muriqi vuri në pah se, pavarësisht se “Dardanët” ishin dy herë në disavantazh, skuadra nuk u dorëzua në asnjë moment, duke dëshmuar forcën e një grupi të ri që po rritet me shpejtësi dhe po fiton besim përmes lojës ekipore.

Në të njëjtën kohë, Muriqi foli edhe për përballjen e ardhshme ndaj Turqisë, një kundërshtar që për të ka një domethënie të veçantë personale. Duke kujtuar vitet e tij në futbollin turk, ai pranoi se kjo ndeshje do të jetë e mbushur me emocione, por edhe shumë e vështirë në aspektin sportiv, teksa e cilësoi Turqinë si favorite, pa e fshehur megjithatë besimin se Kosova mund të bëjë surprizën përmes lojës së saj kolektive.
“Sllovakia ishte një ekip shumë i organizuar. Ata nuk kishin pësuar gol në katër ndeshjet e fundit para nesh. Një nga armët tona më të forta ishte aftësia jonë për të luajtur futboll të mirë ekipor. Edhe pasi ishim duke humbur 1-0, nuk u dorëzuam kurrë. Jemi një ekip shumë i ri dhe luftojmë fort. Kemi lojtarë të rinj dhe të rëndësishëm”, ka thënë fillimisht Muriqi për HT Spor.
“Shorti kundër Turqisë më ngjall ndjenja të përziera personalisht. Gjatë karrierës sime futbollistike, u bëra Vedat në Turqi. Tetë vjet, sigurisht… Giresunspor, Genclerbirligi, Rizespor, Fenerbahçe… Këto klube më bënë Vedat. Për familjen time, Turqia zë një vend shumë të veçantë. Po përjetoj emocione komplekse”.
“Kam pasur nderin të luaj kundër disa prej këtyre lojtarëve, si kundërshtar dhe madje në të njëjtën skuadër me disa prej tyre. Pra, po përjetoj vërtet ndjenja të mrekullueshme dhe interesante. Por duke pasur parasysh që Turqia nuk është kualifikuar për Kupën e Botës për 24 vjet, mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe konkurruese”, përcjell Telegrafi.
“Pa dyshim, Turqia është favorite. Avantazhi ynë është se do të luajmë në shtëpi. Kemi Kenanin, kemi Ardën; Këta janë asete të mëdha për futbollin turk, për futbollin evropian dhe për futbollin botëror. Duam të bëjmë më të mirën tonë, të bëjmë atë që dimë më mirë, të luajmë futboll ekipor dhe të arrijmë qëllimin tonë”.
“Që nga dita e parë që u largova nga Turqia, tifozët turq më kanë mbështetur gjithmonë. Tani është shumë e natyrshme që do të përballemi me Turqinë. Thënë troç, ne jemi rivalë; pra për një ndeshje, jemi rivalë për 90 ose 120 minuta. Kam respekt të madh për Turqinë. U rrita atje si futbollist, fillova të fitoja jetesën atje. Sigurisht, ka një anë emocionale, dhe unë flas turqisht si një folës amtar. Do të japim gjithçka që mundemi për ta bërë ëndrrën tonë realitet”, transmeton Telegrafi.
“Përveç Kenanit dhe Ardës, Ismaili (Yuksek) lufton mirë kur i jepet mundësia të luajë. Baris Alper është në formë të shkëlqyer. Yunusi bën një punë të shkëlqyer kur hyn në fushë. Sido që ta shikosh, nuk ka askënd për të cilin mund të thuash “do të ishte më mirë nëse ky lojtar nuk do të luante””.
“Nëse Hakani nuk luan, Orkuni do të vijë, dhe Orkuni është gjithashtu në formë të shkëlqyer. Nëse Keremi nuk luan, Yunusi do të vijë. Talenti, cilësia, teknika, taktikat, etj… Të gjithë e dinë këtë; Turqia është një ekip kombëtar mbi ne”, perfundoi sulmuesi i Kosovës.
Ndryshe, “Dardanët” e presin Turqinë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, të martën e 31 marsit, me fillim nga ora 20:45 dhe fituesi i kësaj ndeshje kualifikohet në Kupën e Botës në ShBA, Kanada dhe Meksikë. /Telegrafi/





