Një shërbim i ri treni nate do të nisë midis Parisit dhe Berlinit, me trenin e parë të operuar nga kompania hekurudhore holandeze-belge European Sleeper që do të niset nga stacioni Gare du Nord i Parisit për në kryeqytetin gjerman.
Shërbimi do të funksionojë tri herë në javë midis dy qyteteve, me një kohëzgjatje udhëtimi prej rreth 16 orësh, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Nga 13 korriku, ndalesa e tij e vetme në Gjermani do të jetë në stacionin Hamburg-Harburg. Treni do të ndalet gjithashtu në Mons, Bruksel dhe Liège.

“European Sleeper” po merr përsipër një linjë që Hekurudhat Federale Austriake (ÖBB) e ndërprenë në mesin e dhjetorit për shkak të tërheqjes së subvencioneve shtetërore nga Franca.
Ky shërbim, i operuar nga ÖBB në bashkëpunim me SNCF dhe Deutsche Bahn, kalonte nëpër Strasburg, Frankfurt dhe Erfurt.
Atje pati protesta të konsiderueshme kundër ndërprerjes së shërbimit, i cili ishte rikthyer vetëm dy vjet më parë. “European Sleeper” më pas ndërhyri për të lidhur dy qytetet.
Kompania tashmë operon një shërbim midis Brukselit dhe Pragës nëpërmjet Berlinit.
Trenat e natës janë shumë të kërkuar, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin përsëri udhëtimet me tren në distanca të gjata dhe nuk dekurajohen nga udhëtimet e gjata.
Megjithatë, kompanitë shtetërore hekurudhore ende ankohen se këto shërbime nuk janë fitimprurëse. /Telegrafi/





