Aktori iranian Mohammad Reza Golzar njoftoi se do të mbulojë kostot e rindërtimit të shkollës fillore në Minab që u bombardua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të paguajë për trajtimin e të plagosurve.
Shërbimi publik i Iranit njoftoi lajmin, duke kujtuar se Shtetet e Bashkuara bombarduan shkollën më 28 shkurt, duke vrarë 170 fëmijë dhe mësues.
Sipas raportimeve të mëparshme, objektivi i sulmit ishte një kompleks shkollor në Minabin jugor, duke vrarë të paktën 165 nxënës, kryesisht vajza të moshës 7 deri në 12 vjeç.

Të mbijetuarit dëshmojnë se menjëherë pas sulmit të parë, pati një të dytë. Sipas Middle East Eye (MEE), bomba e dytë kishte në shënjestër zonën ku ndodheshin fëmijët e mbijetuar, pikërisht kur prindërit e tyre të tmerruar po vinin t’i merrnin.
Në atë kohë në shkollë kishte rreth 170 vajza dhe raportet e mëparshme sugjerojnë se prindërve iu kërkua të merrnin fëmijët e tyre kur filluan sulmet.
Aktori dhe muzikanti iranian Mohammadreza Golzar është një nga fytyrat më të njohura të industrisë bashkëkohore iraniane të argëtimit. Gjatë dy dekadave të fundit, ai ka ndërtuar statusin e tij si yll falë një karriere të suksesshme në film, televizion dhe muzikë.
Ai u bë i njohur për një audiencë më të gjerë në fillim të viteve 2000 përmes roleve në filma të njohur iranianë, ku spikati me karizmën dhe stilin e tij të dallueshëm. Filmat e tij shpesh arrijnë vlerësime të larta, dhe Golzar shpejt u bë sinonim i projekteve të suksesshme komerciale në kinemanë iraniane.
Paralelisht me karrierën e tij në film, Golzar është aktiv edhe në muzikë. Ai ishte anëtar i Arian Band, një nga grupet më të famshme të muzikës pop në Iran, ku luante në kitarë. /Telegrafi/





