Një arritje e madhe për trajnerin e Warriors – ai u bë personi i katërt në historinë e NBA-së që fiton një Oscar

Trajneri i Golden State Warriors, Steve Kerr, i ka shtuar një tjetër vlerësim të madh karrierës së tij të pasur. Ish-basketbollisti dhe trajneri legjendar është bërë personi i katërt në historinë e NBA që fiton një Academy Awards (Oscars). Kerr ishte...

Sport

Trajneri i Golden State Warriors, Steve Kerr, i ka shtuar një tjetër vlerësim të madh karrierës së tij të pasur. Ish-basketbollisti dhe trajneri legjendar është bërë personi i katërt në historinë e NBA që fiton një Academy Awards (Oscars).

Kerr ishte producent ekzekutiv i dokumentarit të shkurtër All the Empty Rooms, i cili fitoi çmimin Oscar për Dokumentarin më të Mirë të Shkurtër.

Filmi, që zgjat rreth 35 minuta, tregon historitë prekëse të familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në të shtëna masive në SHBA.

Në qendër të dokumentarit janë historitë e gazetarit televiziv Steve Hartman dhe fotografit Lou Bopp, të cilët dokumentojnë mënyrën se si familjet ruajnë kujtimin e fëmijëve të tyre përmes dhomave që kanë mbetur të paprekura pas tragjedive.

Tema e filmit është shumë personale për Kerr. Babai i tij u vra me armë zjarri në vitin 1984, një ngjarje që e ka shtyrë trajnerin e Warriors të flasë vazhdimisht për nevojën e rregullimit më të fortë të armëve në SHBA.

“Nuk kam qenë i përfshirë drejtpërdrejt në realizimin e filmit, por jam shumë krenar që jam pjesë e tij”, ka thënë Kerr.

Ai tregoi se nuk hezitoi kur iu propozua të bëhej producent ekzekutiv i projektit.

“Më telefonuan rreth një vit më parë dhe më pyetën nëse do të doja të isha producent ekzekutiv, që në thelb do të thoshte t’i vija emrin filmit dhe të ndihmoja në promovimin e tij. Duke pasur parasysh pasionin tim për këtë çështje, ishte një vendim i lehtë. Kur e pashë filmin, mbeta i mahnitur nga sa i bukur dhe prekës ishte”, u shpreh ai.

Para Kerr, edhe tre emra të njohur të NBA-së kanë fituar Oscar: Kobe Bryant, Stephen Curry dhe Shaquille O’Neal. /Telegrafi/