"Mund të kishte qenë homoseksual", Paul McCartney zbulon një deklaratë të papritur të Yoko Ono për John Lennon

Paul McCartney ka zbuluar se Yoko Ono dikur i kishte thënë se mendonte që bashkëshorti i saj, John Lennon, mund të kishte qenë homoseksual.

Në një intervistë për Vanity Fair të realizuar në vitin 2015, por të publikuar sërish së fundmi me rastin e dokumentarit “Paul McCartney: Man on the Run”, muzikanti 83-vjeçar tregoi se Yoko e kishte ndarë këtë mendim me të pak pas vdekjes së Lennon në vitin 1980.

Sipas McCartney, ai nuk e besoi këtë ide. Ai tha se gjatë viteve të 60-ta kishte kaluar shumë kohë me Lennon dhe nuk kishte parë asgjë që ta mbështeste këtë teori. Megjithatë, ai pranoi se ndër vite kishte pasur thashetheme për seksualitetin e Lennon, veçanërisht për marrëdhënien e tij me menaxherin e The Beatles, Brian Epstein, i cili ishte homoseksual, shkruan DailyMail.

John Lennon dhe Yoko Ono u martuan në vitin 1969 dhe qëndruan bashkë deri në vrasjen e tij në vitin 1980 në moshën 40-vjeçare. Çifti kishte një djalë, Sean Ono Lennon, ndërsa Lennon kishte edhe një djalë tjetër, Julian, nga martesa e tij e parë me Cynthia Lennon.

Ndërkohë, në dokumentarin e ri për jetën e tij pas shpërbërjes së The Beatles, McCartney pranon se dikur kishte filluar të besonte kritikat se ai ishte përgjegjës për fundin e grupit.

Ai gjithashtu u shpreh i emocionuar kur pa në film pamje të gruas së tij të ndjerë, Linda McCartney, duke thënë se kujtimet me të dhe familjen mbeten ndër momentet më të çmuara të jetës së tij. /Telegrafi/