Prioriteti ynë strategjik i paplotësuar është hapja e negociatave dhe anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, theksoi Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Mucunski për “Alsat” theksoi se shteti po ndjek vazhdimisht diskutimin në kuadër të institucioneve evropiane dhe debatet e ndryshme që po zhvillohen.

“Sigurisht që po e ndjekim diskutimin, si dhe debatet e ndryshme që ekzistojnë, por në këtë moment prioriteti ynë strategjik, i politikës së jashtme i paplotësuar i shtetit është hapja e negociatave për anëtarësim dhe anëtarësimi sa më i shpejtë i plotë në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
Nga aspekti i mënyrës se si merren vendimet në Bashkimin Evropian, siç theksoi Mucunski, nevojitet një konsensus për një ndryshim të mundshëm në metodologjinë ose rregullat që lidhen me zgjerimin.
“Sipas asaj që dëgjojmë, ekzistojnë disa ide të ndryshme se si shtete të caktuara anëtare ose grupe shtetesh anëtare, madje edhe Komisioni Evropian, e shohin të ardhmen e politikës së zgjerimit. Por ajo që është e qartë është se, të paktën në këtë moment, nuk ka konsensus për asnjë nga këto zgjidhje alternative”, shtoi Ministri.
Duke komentuar qëndrimin e opozitës, Mucunski theksoi se ky është një entitet politik që ndryshoi emrin e shtetit, premtoi ndryshime shtesë kushtetuese dhe bëri lëshime të rëndësishme kombëtare në mënyrë që të përparonte drejt rrugës evropiane./Telegrafi/





