Mojtaba Khamenei rikthen monarkinë në Iran

Republika Islamike zgjedh një udhëheqës të ri suprem dhe e kthen veten në një biznes familjar.

Nga: Reuel Marc Gerecht dhe Ray Takeyh / The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Për herë të tretë në historinë e saj, Republika Islamike e Iranit ka zgjedhur një rahbar, ose udhëheqës suprem. Babai i revolucionit, Ajatollahu i Madh Ruhollah Khomeini (1979-89), njihej për erudicionin e tij provokues teologjik dhe autoritetin karizmatik. Pasardhësi i tij, Ajatollah Ali Khamenei (1989-2026), e kompensoi pozitën e tij të dobët fetare me një përvojë në qeverisje dhe me një mjeshtëri në detaje.

Djali dhe pasardhësi i Khameneit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, nuk e ka as përvojën e të atit dhe as prejardhjen e Khomeinit. Ngjitja e tij në pushtet shënon shembjen e shtyllës së fundit egalitare të revolucionit, domethënë idenë se mullahët, ndryshe nga shahët persë dekadentë, nuk e trashëgojnë pushtetin dinastik. Me Mojtabën, revolucioni ka plotësuar një qark të plotë. Edhe pa ndryshim regjimi, monarkia është kthyer në Iran.

Nuk dihet shumë për Khamenein e ri, pasi ai është kufizuar në prapaskenat e Republikës Islamike. Mehdi Karroubi – kandidat i përhershëm presidencial dhe klerik i guximshëm që kaloi dekadat në arrest shtëpiak – ishte i pari që e ekspozoi rolin e djalit të udhëheqësit suprem, duke u ankuar në vitet 2005 dhe 2009 për përfshirjen e Mojtaba Khameneit në manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në favor të Mahmoud Ahmadinejadit, një populist i zjarrtë që më vonë humbi mbështetjen e Ali Khameneit dhe të establishmentit klerikal.

Mojtaba është pjesë e krahut reaksionar të politikës iraniane. I përket të ashtuquajturit brez i luftës – burra që nuk e udhëhoqën revolucionin, por testuan guximin në luftën Iran-Irak (1980-1988). Duke u paraqitur vullnetar në vitet e fundit të konfliktit, ai e plotësoi një kriter të rëndësishëm për udhëheqësit e mundshëm të ardhshëm të republikës hyjnore. Burimet persiane janë të pakta dhe ndoshta jo të besueshme për shërbimin e tij në luftë, përfshirë edhe nëse ai e ka parë luftën në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike. Megjithatë, është e arsyeshme të supozohet se koha e kaluar me gardistë krijoi miqësi të përjetshme dhe ia dha një rrjet lidhjesh që ai i ushqeu dhe i përdori. Gardat dhe i ati mbase ia ngulitën një botëkuptim militant që vazhdon.

▶ Lexo edhe këtë

Momenti i ri unipolar i Amerikës

Shpesh mendojmë për vitet ‘90 të shekullit XX në Iran si një kohë kur reformatorët klerikalë dhe intelektualët përpiqeshin të pajtonin besimin me arsyen dhe të krijonin një hibrid të majtë të islamit dhe demokracisë. Por, shumë prej atyre që kishin shërbyer në vijat e frontit ruajtën zellin e tyre revolucionar, duke u bërë edhe më të vendosur për të ruajtur regjimin që Khomeini ua kishte lënë trashëgim. Ata mbushën institucionet e shtetit, si zyrën e udhëheqësit suprem e cila u zgjerua shpejt në fund të viteve ’90 të shekullit XX; përforcuan njohuritë e tyre në seminare më radikale dhe në universitetet e tyre. Dominuan rangjet e mesme të Gardës Revolucionare. Misioni i tyre thelbësor: të ruanin normat fetare, veçanërisht në lidhje me gratë, dhe të kundërshtonin përpjekjet popullore për ta ndryshuar regjimin përmes demokracisë e cila gjithnjë e më shumë shihej si e papajtueshme me drejtësinë fetare.

Ndërsa regjimi u pjek, ata zhvilluan një shije për pasurinë materiale. Korrupsioni për ta u bë po aq i lehtë sa edhe devocioni fetar. Një nga gjërat më të vështira për perëndimorët – dhe për iranianët e ndikuar nga Perëndimi – për të kuptuar në lidhje me Republikën Islamike dhe historinë islame në përgjithësi, është se përplasja mes besimit dhe lakmisë për pasuri tokësore është më e vogël nga sa mund të pritet. Ndryshe nga krishterimi, islami nuk filloi si fe e të shtypurve. Elita e Gardës Revolucionare dhe e klerit zakonisht janë të pasur. Mojtaba Khamenei është burrë i pasur.

Në politikën e trazuar të Republikës Islamike, dhuna dhe terrori kanë qenë gjithmonë mjete të kontrollit politik. Por, brezi militant i Mojtabës është përballur me më shumë kryengritje popullore teksa revolucioni ka humbur shumëçka nga shkëlqimi i tij. Edhe në kontekstin e politikës së pamëshirshme iraniane, ky brez shfaq një lidhje të veçantë me terrorizmin. Dhuna është përgjigjja e detyrueshme ndaj atyre që kërkojnë të minojnë regjimin. Kryengritja e fundit tregoi deri ku është i gatshëm të shkojë ky brez për të ruajtur atë që e konsideron vullnet të Zotit.

Mojtaba do të vazhdojë kërkimin e të atit për djajtë e jashtëm. Amerika dhe Izraeli kanë zënë gjithmonë një vend qendror në narrativën e linjës së ashpër. Fillimisht – dhe gjithmonë për Ali Khamenein – joshja kulturore ishte mjeti i preferuar i perëndimorëve për të përmbysur Republikën Islamike. Donald Trumpi dhe Benjamin Netanyahu e bënë këtë frikë shumë më konkrete. Ata i kanë dobësuar rëndë degët e Iranit në rajon. Izraeli dhe Amerika vunë në lëvizje ngjarjet kataklizmike në Siri, ku dinastia aleate Assad ra dhe u shemb integriteti i “harkut shiit” të teokracisë në gjithë Lindjen e Mesme. Trumpi dhe Netanyahu e kanë varrosur programin bërthamor të regjimit klerikal nën rrënoja dhe kanë vrarë shkencëtarë, inxhinierë dhe gjeneralë kyçë që do të jenë të vështirë për t’u zëvendësuar. Ata tani bombardojnë vendin me lehtësi dhe me një ndjenjë mosndëshkimi. Antipatia ideologjike e Mojtabës ndaj Amerikës dhe Izraelit nuk do të zhduket – dhe është personale. Sulmi ajror i 28 shkurtit që mori jetën e të atit vrau gjithashtu nënën, gruan, djalin dhe një motër të Mojtabës.

Teokracia iraniane nuk ka përjetuar një presion të tillë që nga viti i fundit i luftës Iran-Irak, kur fronti iranian u shemb. Përballë vështirësive, një udhëheqës pa përvojë do të mbështetet tek ata që ndajnë ankesat dhe botëkuptimin e tij. Atij do t’i duhet kohë për të konsoliduar pushtetin, pasi edhe të atit të tij, megjithëse shumë i aftë në burokraci, iu deshën disa vite për të vendosur hegjemoninë e tij politike. Në terminologjinë perëndimore, marrëdhëniet civile-ushtarake do të ndryshojnë, duke i dhënë Gardës Revolucionare – shtylla e fundit e regjimit – edhe më shumë ndikim se sa kishin nën Ali Khamenein. Babai i Mojtabës i frenoi gardistët kur shumë prej tyre ndoshta donin të kalonin pragun bërthamor; djali me siguri do të jetë më tolerant nëse ata arrijnë ta rindërtojnë programin e armëve bërthamore.

Nëse Republika Islamike mbijeton, ajo do të bëhet edhe më radikale. Të sigurt për vërtetësinë e tyre nga fakti i mbijetesës së tyre, elita sunduese do të shtypë iranianët me më shumë vrull dhe – një detyrë shumë më e vështirë – do të përpiqet të eksportojë militantizëm dhe armë tek ata që mund të vrasin amerikanë, izraelitë dhe hebrenj në përgjithësi. Mojtaba Khamenei ka marrë ndoshta drejtimin në momentin më të rrezikshëm të regjimit. Nëse ai arrin ta ruajë trashëgiminë e tij, ai do të njihet me të drejtë si biri dhe pasardhësi i të atit. /Telegrafi/