Mohamed Salah ka marrë ofertën e parë publike për hapin e tij të radhës, pasi njoftoi largimin nga Liverpooli.
Të martën, golashënuesi rekord i klubit konfirmoi përmes një videoje në rrjetet sociale se do të largohet pas nëntë sezonesh.
Edhe pse Salah ka ende një vit kontratë me Liverpoolin, ai ka arritur marrëveshje për t’u larguar më herët dhe për t’i dhënë fund një periudhe të suksesshme në Angli.

Pas këtij zhvillimi, Brad Sims, drejtori ekzekutiv i New York City FC, ka shprehur interes për transferimin e tij, duke deklaruar se do të “dëshironte shumë” ta kishte egjiptianin në skuadër.
“Do të doja shumë ta kishim Mohamed Salah”, u shpreh Sims gjatë konferencës Sports Business Journal Business of Soccer.
“Nuk kemi pasur ende bisedime me të apo përfaqësuesit e tij. Më e rëndësishmja është nëse lojtari dëshiron të vijë në MLS dhe të jetë në New York”.
Ai shtoi se klubi kërkon lojtarë që duan vërtet të jenë pjesë e projektit, duke theksuar rëndësinë e karakterit, punës së palodhur dhe ndikimit pozitiv në skuadër.
NYCFC ka tërhequr emra të mëdhenj që nga themelimi në vitin 2013, si Andrea Pirlo, David Villa dhe Frank Lampard./Telegrafi/





