Mlladiqi u gjykua në Hagë për krime lufte, Putini meriton të njëjtin fat

opinion

Perëndimi duhet të mësojë nga pasojat e konfliktit në Ballkan dhe të zbatojë aktakuzën e marsit të vitit 2023 kundër udhëheqësit të Rusisë. Nga: Brendan Simms, profesor i historisë në Universitetin e Kembrixhit, autor i librit Unfinest Hour: Britain and the Destruction of Bosnia [Ora më e palavdishme: Britania dhe shkatërrimi i Bosnjës] Përkthimi: Telegrafi.com […]

Madhësia e shkronjave

Perëndimi duhet të mësojë nga pasojat e konfliktit në Ballkan dhe të zbatojë aktakuzën e marsit të vitit 2023 kundër udhëheqësit të Rusisë.

Nga: Brendan Simms, profesor i historisë në Universitetin e Kembrixhit, autor i librit Unfinest Hour: Britain and the Destruction of Bosnia [Ora më e palavdishme: Britania dhe shkatërrimi i Bosnjës] Përkthimi: Telegrafi.com

Nganjëherë thuhet se sulmi rus në shkallë të plotë ndaj Ukrainës është konflikti i parë i madh evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Vdekja e udhëheqësit ushtarak serb të Bosnjës dhe kriminelit të luftës, gjeneralit Ratko Mlladiq, na kujton se nuk është kështu. Ai ishte shef i shtabit të një ushtrie e cila për katër vjet, duke filluar nga viti 1992, zbatoi një politikë të spastrimit etnik që kulmoi me masakrën e tmerrshme të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, ku u vranë më shumë se tetë mijë burra dhe djem myslimanë. Ishte pikërisht ky krim që më në fund nxiti ndërhyrjen e vendosur të NATO-s dhe shtyu Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) të ngrinte aktakuzë kundër Mlladiqit dhe udhëheqësve të tjerë serbë të Bosnjës.

U kursye njeriu i cili kishte orkestruar të gjithë luftën, presidenti i Jugosllavisë së cunguar, Sllobodan Millosheviq, sepse shihej si partner thelbësor për t’i dhënë fund luftës. Kjo strategji dështoi plotësisht në vitet 1998-1999, kur Miloševići nisi një valë masive represioni kundër shqiptarëve të Kosovës, e cila dukej se paralajmëronte një përsëritje të përvojës boshnjake. Këtë herë, NATO-ja ndërhyri me shpejtësi dhe – pas disa muajsh ankthi – triumfoi. Millosheviqit iu ngrit, siç pritej, një aktakuzë nga ICTY-ja.

Fillimisht, si Mlladiqi ashtu edhe Millosheviqi mundën të bënin jetë relativisht të lira. Megjithatë, së shpejti Perëndimi filloi ta shtrëngonte rrethin rreth kriminelëve serbë të luftës në Bosnjë dhe ata u bënë një turp për Beogradin i cili kërkonte rehabilitim dhe, në fund, anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Millosheviqi dhe Mlladiqi përfundimisht u arrestuan, iu dorëzuan ICTY-së, u gjykuan në Hagë, u shpallën fajtorë dhe u dërguan në burg për pjesën tjetër të jetës së tyre. Fatet e tyre treguan se agresioni nuk shpërblehet, të paktën nëse ne nuk duam që të shpërblehet.

Natyrisht, Rusia nuk është Serbi. Ajo ka një kapacitet shumë më të madh shkatërrues, veçanërisht përmes arsenalit të saj të stërmadh bërthamor. Kjo e bën të rrezikshme ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ushtarake perëndimore në mbështetje të Ukrainës. Gjithashtu, Rusia nuk ka gjasa të kërkojë, apo t’i jepet, pranimi në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, më e rëndësishmja është se Ukraina nuk është Bosnja. Ajo është arrë shumë më e madhe dhe më e fortë për t’u thyer. Ukraina tani po e mëson Perëndimin, po aq sa edhe po mëson dhe po merr prej tij. Pavarësisht trimërisë së shumë boshnjakëve, vendi i tyre kurrë nuk arriti vërtet të dilte nga statusi i viktimës dhe ishte i paaftë ta çonte vetë luftën në Serbi. NATO-s i mbeti detyra që t’i bënte të qarta pasojat e sponsorizimit të agresionit.

Megjithëse Bosnja vuajti shumë më tepër, edhe Serbia pagoi një çmim të rëndë për sa u përket humbjeve ushtarake, refugjatëve, territorit dhe dëmtimit të reputacionit. Sot, goditja e rafinerive ruse të naftës nga dronët ukrainas i kujton çdo ditë popullsisë se zjarri që ndezi Putini po fillon të afrohet pranë shtëpive të tyre.

Gjatë ditëve të fundit, ka pasur një vrull aktivitetesh në frontin diplomatik lidhur me Ukrainën. Është e mirëpritur çdo gjë që i jep fund vrasjeve atje, por duhet rezistuar kërkesa e pashmangshme për pandëshkueshmëri për arkitektët e pushtimit rus. Fakti që Millosheviqi u la pa u ndëshkuar në vitin 1995 e inkurajoi atë të përpiqej ta përsëriste të njëjtën gjë në vitin 1999.

Kjo është arsyeja pse, pavarësisht çfarëdo rezervash që mund të ketë dikush në përgjithësi për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), Perëndimi duhet të mbështesë aktakuzën e saj të marsit të vitit 2023 – kundër Putinit, për krime lufte. T’ia japësh atij mundësinë për t’i shpëtuar burgut në këmbim të paqes në Ukrainë, vetëm sa do ta inkurajojë që ta provojë fatin diku tjetër, ndoshta në shtetet baltike.

Ukraina nuk ka treguar asnjë shenjë se po dorëzohet dhe, pavarësisht disa lëkundjeve serioze, koalicioni ndërkombëtar që e mbështet qëndron tani më i palëkundur se në fillim të vitit 2025. Aleanca ndërmjet teknologjisë perëndimore dhe ushtrisë ukrainase po bëhet çdo ditë e më e ngushtë.

Dronët dhe raketat ukrainase po godasin gjithnjë e më thellë brenda Rusisë. Së shpejti atyre mund t’u bashkohen raketat balistike të prodhuara në vend. Me kalimin e kohës, sulmet do të shtohen në numër dhe saktësi, derisa jeta në Rusi të fillojë të barazohet me atë në Ukrainë.

Rusët hynë në këtë luftë nën iluzionin fëmijëror se, ashtu si në Gjeorgji, Donbas dhe Siri, ata do ta bombardonin dhe granatonin Ukrainën dhe askush nuk do t’i bombardonte ata.

Kur Arthur “Bomber” Harris e paralajmëroi Gjermaninë në qershor të vitit 1942 se ata kishin “mbjellë erën” dhe tani do të “korrnin stuhinë”, shumica e qyteteve të tyre qëndronin ende në këmbë. Deri në kohën kur ai kishte përfunduar punën në vitin 1945, ato ishin kthyer në rrënoja dhe do të kishin përfunduar ashtu pavarësisht nëse Gjermania naziste do të ishte mundur ose jo.

Është tepër vonë që Putini të nxjerrë mësime nga dështimi i Serbisë në Bosnjë. E ardhmja e tij dhe ajo e rrethit të tij të ngushtë është e zymtë. E tillë është edhe e ardhmja e shumë rusëve që drejtuan dhe zbatuan luftën e agresionit kundër Ukrainës. Por, ka ende kohë që Rusia dhe shumica e rusëve ta ndryshojnë kursin. Ata mund t’i japin fund luftës, t’ia dorëzojnë Putinin ICC-së dhe të fillojnë ta sjellin Rusinë “përsëri” në Evropë. Nëse nuk e bëjnë këtë, era që mbollën udhëheqësit e tyre do të shndërrohet në një stuhi që do t’i përpijë edhe ata. /Telegrafi/