Ballina Nacionale Miftaraj: LVV braktisi parimet dhe votoi kandidatin e Listës Serbe për nënkryetar...

Miftaraj: LVV braktisi parimet dhe votoi kandidatin e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit

1

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për përkrahjen e Listës Serbe dhe Slavko Simiqit për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si kundërthënie me qëndrimet e mëparshme të partisë.
“Lëvizja Vetëvendosje papritmas vendosi me përkrah Listën Serbe dhe Slavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Ai ka akuzuar LVV-në se gjatë vitit të kaluar ka sulmuar kritikët që kërkonin zbatimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
“Gjatë vitit të kaluar LVV dhe klientela e saj e ka shpallur tradhtar secilin që ka pas guxim me kërku zbatimin e Kushtetutës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar ai.
Miftaraj ka vlerësuar se sot e njëjta parti ka vepruar në kundërshtim me parimet që, sipas tij, i kishte promovuar më herët.
“Sot e njëjta parti harroi krejt parimet e saj të bazuara në gënjeshtra dhe mashtrime publike në emër të patriotizmit fallc dhe me votat e saj votoi Listën Serbe dhe Slavko Simiqin nënkryetar të Kuvendit”, ka shkruar ai.
Ai ka ngritur edhe pyetje për qëndrimin e LVV-së ndaj Listës Serbe, duke iu referuar deklarimeve të mëhershme të kësaj partie.
“LVV dhe Albin Kurti sot do duhej të na tregonin se Lista Serbe a është terroriste?”, ka shkruar Miftaraj.
Po ashtu, ai ka kritikuar qëndrimet e mëhershme të LVV-së ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Albin Kurti dhe LVV e cenuan dialogun strategjik me ShBA duke sulmuar GJK për Listën Serbe dhe Slavko Simiqin, kurse sot e votuan njëzëri për ta”, ka theksuar ai.
Në fund, Miftaraj ka uruar konstituimin e Kuvendit dhe ka shprehur shpresën për formimin e shpejtë të qeverisë.
“Urime konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Të shpresojmë të formohet qeveria sa më shpejt të jetë e mundur”, ka përfunduar ai.

- Reklamë -