Masa e ndërmarrë nga Qeveria për uljen e TVSH-së nga 18 në 10 për qind për derivatet e naftës, dhe tani mundësia që Komisioni Rregullator të ulë akcizat si për naftën ashtu edhe për karburantet pa plumb, ka kontribuar në njërën nga normat më të ulëta të inflacionit në bazë mujore, tha sot nga foltorja e Parlamentit të Maqedonisë, kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke iu përgjigjur deputetit dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, në lidhje me masat e ndërmarra nga Qeveria për të menaxhuar krizën, ai u përgjigj se masat e ndërmarra nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së sollën borxhe dhe deri më sot ato po kthehen.

“Ne i kemi paguar masat tuaja që nga ajo kohë deri më sot, ja ku është taksa e solidaritetit, tani kemi kthyer këstin e parë prej 20 milionë eurosh, tani këstin e dytë prej 20 milionë eurosh të radhës. Ato masa i panë qytetarët dhe në disa cikle zgjedhore me radhë po japin përgjigjen për masat nga koha e Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së”, tha Mickoski.
Mickoski, theksoi se kur opozita bën një krahasim të masave dhe ekonomisë, duhet të bëjë një krahasim të parametrave realë./Telegrafi/





