Në Houston, Teksas, ku mbahet konferenca më e madhe në botë për shkencat planetare, Lunnar and planetar science conference, këtë vit spikati një emër nga Kosova.
Shkencëtarja e re, Pranvera Hyseni, mori pjesë për herë të tretë në këtë ngjarje prestigjioze, ku mblidhen mbi 2000 studiues nga e gjithë bota për të prezantuar kërkimet e tyre.
Hyseni pati mundësinë të prezantojë punën e saj shkencore në skenë, duke theksuar se për të, krenaria më e madhe nuk ishte vetëm prezantimi i studimit, por fakti që përfaqësonte Republikën e Kosovës.

“Për mua krenari e madhe nuk është të dal në skenë e të tregoj vetëm për asteroidin, por të dal e të prezantohem prej Republikës së Kosovës. Edhe ne të Kosovës mundemi t’i tregojmë NASA-s për astronomi”, deklaroi Hyseni në një video të ndarë në TikTok.
Në përfundim të konferencës, u ndanë çmime për prezantimet më të mira, ku Pranvera u vlerësua me çmimin “Best Oral Presentation”, duke u renditur ndër më të mirat në mesin e mijëra shkencëtarëve.
Në mesazhin e saj motivues, ajo iu drejtua studentëve në Kosovë duke i inkurajuar të ndjekin ëndrrat e tyre, pavarësisht sfidave.
“Mos u ndalni dhe mos u frikësoni që jeni nga Kosova. Para pesë viteve kam qenë në livadhe duke ruajtur lopët, ndërsa sot konkurroj me shkencëtarë të NASA”, tha ajo.
Pranvera shtoi se mungesa e kushteve nuk duhet të jetë pengesë për të arritur sukses, duke theksuar se përmes arritjeve individuale mund të ngritet edhe imazhi i vendit.
Në fund, ajo shprehu shpresën që në të ardhmen në këtë konferencë të ketë edhe më shumë pjesëmarrës nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe fjalët motivuese që, sipas saj, janë shtysë për të vazhduar përpara. /Telegrafi/





