Eksperti i politikës serbe, Daniel Bochsler, ka deklaruar se çështja e Kosovës vazhdon të jetë temë tabu në politikën e Serbisë, ndërsa ka folur edhe për qëndrimet brenda lëvizjes studentore që ka shënuar fitore në zgjedhjet parlamentare kundër partisë së Aleksandar Vuçiqit.
Në një intervistë për mediumin zviceran Watson, Bochsler, i cili prej më shumë se 20 vitesh studion politikën serbe, ka thënë se në Serbi është shumë e vështirë të gjendet ndonjë parti politike që flet hapur për pavarësinë e Kosovës.
Duke komentuar raportin e lëvizjes studentore me nacionalistët serbë, Bochsler ka theksuar se gjatë protestave janë shfaqur edhe persona që mbanin flamuj me mbishkrime dhe simbole që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, sipas tij, lëvizja studentore ka arritur të mbajë jashtë listës zgjedhore një numër të madh të kandidatëve me qëndrime të theksuara nacionaliste.
Ai ka shpjeguar se kjo është arritur përmes mekanizmit të vetos, të cilin e kanë përdorur këshillat studentore në universitete dhe fakultete gjatë përzgjedhjes së kandidatëve.
“Çështja e Kosovës është një tabu politike në Serbi. Nuk do të gjeni në Serbi ndonjë parti ku dikush të flasë hapur për pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Bochsler.
Sipas tij, mekanizmi i vetos ka funksionuar relativisht mirë brenda lëvizjes studentore, duke bërë që shumë kandidatë nacionalistë të mos përfshihen në listën zgjedhore.
Bochsler ka shtuar se, në fund, nga lista janë përjashtuar edhe përfaqësuesit më të qartë të të dy krahëve politikë brenda lëvizjes.
Sidoqoftë, mbetet e paqartë se çfarë qëndrimi konkret do të mbajë qeveria e re e Serbisë ndaj Kosovës, pasi lëvizja studentore përbëhet nga grupe me bindje të ndryshme ideologjike./Telegrafi/