Mbledhja e tretë e Qeverisë së Kosovës, miratohen disa projektligje dhe marrëveshje kredie

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e tretë elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh që lidhen me financimin e projekteve infrastrukturore, energjetike dhe zhvillimore.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Projektin e Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë”, kredi shtesë ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.

Gjithashtu është miratuar projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.

Në fushën e infrastrukturës dhe mjedisit, Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”, si dhe marrëveshjen për Projektin e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesa Publike.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje është shqyrtuar dhe aprovuar edhe kërkesa e Komunës së Zubin-Potokut për miratimin e buxhetit, pas aprovimit të tij nga Kuvendi Komunal për vitin 2026.

Qeveria ka marrë gjithashtu disa vendime për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin për Ministrin e Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme të kredive me institucione ndërkombëtare financiare. Këto përfshijnë projektet “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”, “Zhvillimi i Sektorit Financiar në Kosovë” si dhe “Programin e Kredisë të Bazuar në Politika”, në bashkëpunim me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.